Lidhje

Fatmir Limaj – në rigjykim


Gjykata e Lartë e Kosovës vendosi rigjykimin e zotit Limaj nën akuzat për krime lufte gjatë vitit 1999.

Gjykata e lartë e Kosovës vendosi të kthejë në rigjykim Fatmir Limajn dhe tre ish bashkëluftëtarë të tij, gjashtë muaj pasi ata ishin liruar nga akuzat për krime lufte.

Një trup i përbërë nga tre gjykatës ndërkombëtar dhe dy vendas të gjykatës së lartë, vendosi që kërkesa e prokurorit të çështjes për rishqyrtim të lëndës të merret për bazë pjesërisht.

Gjykata hodhi poshtë kërkesën e prokurorisë që Fatmir Limaj dhe të tjerët të paraburgosen.

Në muajin maj të këtij viti deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, u shpall pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte. Në verën e vitit 2011, zoti Limaj dhe nëntë pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999.

Akuza, mbështetej kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, deri në muajin shtator të vitit 2011, kur kreu vetëvrasje në Gjermani. Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë. Më 21 mars të këtij viti, pohimet e dëshmitarit qenë shpallur të papranueshme nga gjykata.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Javën që lamë pas Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit bëri të ditur se është ngritur aktakuzë kundër deputetit Fatmir Limaj dhe gjashtë të tjerëve, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion. Akuzat u ngritën më shumë se dy vjet pasi që EULEX-i bastisi Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit që drejtohej nga zoti Limaj.
XS
SM
MD
LG