Lidhje

Gjashtë persona në rigjykim për krime lufte


Gjykata e lartë e Kosovës ktheu në rigjykim gjashtë persona të akuzuar për krime lufte në rastin e njohur si “Kleçka”

Një trup gjykues i përbërë prej tre gjyqtarëve të EULEX-it dhe dy vendas në Gjykatën e lartë të Kosovës, vendosi të ktheje në rigjykim gjashtë të akuzuar për krime lufte.

Të gjashtët akuzohen bashkë me deputetin e Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj dhe tre të tjerë për krime lufte kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës gjatë vitit 1999 në fshatin Kleçkë të Kosovës qendrore.

Trupi gjykues miratoi sot ankesën e prokurorit të EULEX-it dhe e anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, i cili i kishte liruar nga akuza Arben Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn.

Muajin e kaluar, Gjykata e lartë e kishte kthyer në rigjykim lëndën për katër të akuzuarit e tjerë në mesin e të cilëve edhe Fatmir Limaj i njohur gjatë luftës me emrin Çeliku.

Në muajin maj të këtij viti, të gjithë të akuzuarit ishin shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999.

Akuza, mbështetej kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, deri në muajin shtator të vitit 2011, kur kreu vetëvrasje në Gjermani. Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë. Më 21 mars të këtij viti, pohimet e dëshmitarit qenë shpallur të papranueshme nga gjykata.

Në të dyja vendimet për rigjykim, trupi gjykues e shpalli të pranueshme dëshminë e Agim Zogajt, i njohur edhe si “dëshmitari X”.

Vendimi për rigjykim dhe ai për mbajtjen në paraburgim të zotit Limaj nxiti shume reagime në Kosovës përfshirë edhe protesta të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG