Lidhje

Dënohen 11 ish pjesëtarë të UÇK-së


Ata u shpallën fajtorë për krime kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Një gjykatë në veriun e Mitrovicës, shpalli fajtorë dhe dënoi 11 pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat për krime lufte. Dënimet u shpallën në dy procese të njohura si Drenica 1 dhe Drenica 2.

Gjykata dënoi me 12 vjet heqje lirie Sami Lushtakun, aktualisht kryetar i komunës së Skenderajt në Kosovën qendrore dhe ish komandant i zonës së parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa me 6 vjet heqje lirie dënoi ish ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi, i cili gjatë një periudhe të luftës ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zoti Lushtaku është shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes së një civili shqiptar në shtator të vitit 1998 në një zonë në mes fshatrave Galicë dhe Dubovc të rajonit të Drenicës. Sipas trupit gjykues të drejtuar nga EULEX-i, “është vërtetuar se zoti Lushtaku në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së e ka vrarë një civil të burgosur shqiptar të panjohur, duke e qëlluar tre herë në kokë me revole”.

Ndërsa zoti Selimi, sipas gjykatës në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së, në bashkëkryerje me një pjesëtar tjetër të UÇK-së “ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar, i ndaluar në qendrën e ndalimit në Likoc në rajonin e Drenicës”.

Ndërsa në procesin Drenica 2, gjykata shpalli fajtorë dhjetë të akuzuar për keqtrajtimin dhe torturimin e dëshmitarëve të njohur si A dhe B, civilë që gjatë luftës ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Likoc të Drenicës.

Zoti Sulejman Selimi është shpallur fajtor dhe dënuar me tetë vjet heqje lirie. Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi janë dënuar më nga shtatë vjet heqje lirie dhe gjashtë të tjerë; Bashkim Demaj, Driton Demaj, Agim Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku dhe Nexhat Demaku janë dënuar me nga tre vjet heqje lirie.

Avokatët paralajmëruan ankesë ndaj vendimit të gjykatës duke e cilësuar atë të padrejtë dhe të pambështetur në fakte.

Ndaj dënimeve të së mërkurës reaguan shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat thanë se ato ishin “vendime politike të orkestruara nga Beogradi, veprime antishqiptare dhe përpjekje e vazhdueshme për kriminalizimin e luftës çlirimtare, me tendenca për të barazuar atë me luftën kriminale dhe gjenocidale të Serbisë”.

Vendimi i së mërkurës mund të ndërlikojë procesin e ngritjes së Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare në krime lufte. Çështja pritet të hidhet në debat në parlament të premten më 29 maj, ndërsa opozita paralajmëron se do të kundërshtoje themelimin e asaj gjykate që ajo e sheh si cenuese të drejtësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Miratimi kërkon dy të tretat e votave të deputetëve dhe diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar se dështimi i mundshëm mund ta çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Mbi 10 veta janë vrarë dhe mbi 5 mijë ishin zhdukur gjatë luftës në Kosovë e cila mori fund në qershor të vitit 1999 më ndërhyrjen e NATO-s.

XS
SM
MD
LG