Lidhje

Schwendiman zotohet për hetime të pavarura të pretendimeve për krime lufte


Kryeprokurori i Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë, David Schwendiman, tha të enjten, se do të punojë me "drejtësi, energji dhe pa frikë", në procesin e hetimeve që mund të përfshijnë personalitete të larta politik e të vendit.

Në një konferencë me gazetarë në Hagë, ku është edhe selia e Gjykatës së Posaçme, ai tha se është ende herët të flitet për ata që janë duke u hetuar.

Ai mori këtë detyrë në fillim të muajit shtator, gati dy vjet pasi që ishte emëruar në në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës, pretendime që janë hedhur poshtë vazhdimisht nga autoritetet në Kosovë.

Megjithatë në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin Dhomat e Specializuara, do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe nën ligjet e Kosovës.

"Ka shumë gjera për t'u thënë dhe për të ndodhur para se gjërat të vijnë në vend dhe të më lejojnë të vendosë për akuzat. Në fund do të bëjë atë që më detyrojnë ligji dhe provat, kur të jemi gati, asnjë minutë më herët e asnjë minutë më vonë. Unë besoj fuqishëm se nxitimi nuk është mik i drejtësisë, por as vonesat e panevojshme jo", tha ai.

Kryeprokurori Schwendiman tha se është i vetëdijshëm "për ndjeshmërinë politike për atë çfarë jam duke bërë, por do të udhëzohem vetëm nga faktet dhe ligji.

Unë nuk flas se kush, çfarë apo kur. Nuk do të përmend farë se kush është apo nuk është në tryezë" tha ai, duke nënvizuar përkushtimin për të punuar me pavarësi të plotë. "Nuk marr udhëzime nga askush" tha ai duke nënvizuar ndërkaq edhe çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve si një nga sfidat në punën e dhomave të posaçme që do të trajtohet me përparësi.

Administratorja e Dhomave të Posaçme Fidelma Donlon, tha se gjykata shpreson të fillojë veprimtaritë juridike në pjesën e parë të vitit 2017, duke përshtatur rregullat, procedurat, para se kryeprokurori të ngritë akuzat ndaj cilido të pandehur.

Gjykata është ende në proces të emërimit të gjykatësve që do të përcaktojnë rregullat, tha ajo.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe ajo do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG