Lidhje

Akuzë për krime lufte ndaj Fatmir Limajt


Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se ka ngritur aktakuzë kundër deputetit, Fatmir Limaj, për veprën penale: krime lufte kundër popullatës civile.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se "rasti ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, në Kosovën qendrore, të cilët me datën dy tetor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari", po të kësaj komune.

"Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit".

Gjithnjë sipas aktakuzës, "i pandehuri Fatmir Limaj, i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje", thuhet në njoftimin e prokurorisë së posaçme të Kosovës.

Kjo është hera e tretë që Fatmir Limaj, aktualisht deputet i parlamentit të Kosovës nga radhët e partisë politike, Nisma për Kosovën, përballet me akuza për krime lufte.

Në vitin 2012 dhe një vit më pas, ai dy herë u përfshi në një proces gjyqësor në Kosovë dhe u shpall i pafajshëm nga akuzat për krime lufte.

Ai dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij, ngarkoheshin se nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të atij viti, kanë kryer krime kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër paraburgimi të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.

Zoti Limaj, i cili gjatë luftës njihej me emrin komandant Çeliku, më 30 nëntor të vitit 2005, qe shpallur i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë ku kishte qëndruar që nga muaji shkurt i vitit 2003 nën akuzat për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Zoti Limaj, dikur një nga aleatët kryesor të presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, përballet ende edhe e akuza për korrupsion, të cilat lidhen me kohën kur ai ishte ministër i transporteve dhe telekomunikacionit në qeverinë që drejtohej nga zoti Thaçi.

Tri vjet më parë ai u largua nga Partia Demokratike për të themeluar Nismën për Kosovën.

XS
SM
MD
LG