Lidhje

Kosovë, akuzohet një serb për krime lufte


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, tha të enjten se ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj një ish pjesëtari të njësive rezervë të policisë serbe për krime lufte në Kosovë.

Në një njoftim të këtij misioni thuhet se ai akuzohet "për veprimet të cilat pretendohet se kanë ndodhur ndërmjet fshatrave Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme, të komunës së Vushtrrisë, rreth 25 kilometra larg Prishtinës, dhe në objektet e Kooperativës Bujqësore në Vushtrri më ose rreth datës 2 maj 1999, si dhe për veprimet dhe sjelljet të cilat pretendohet se kanë ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Smrekovnicë në komunën e Mitrovicës, gjatë javëve pas kësaj ngjarjeje".

I pandehuri, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur nga autoritetet e EULEX-it, por nga mediet lokale është identifikuar si Zoran Vukotiç, "akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile dhe veprime kundër rregullave të së drejtës ndërkombëtare në fuqi" gjatë kohës së luftës. Këto krime thuhet në njoftim përfshijnë "vrasjet brutale dhe të kundërligjshme, trajtimin çnjerëzor, shkaktimin e vuajtjeve të mëdha, aplikimin e masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimin e pasurisë, plaçkitjen dhe vjedhjen në shkallë të gjerë të pasurisë që ishte e pajustifikueshme".

Më 2 maj të vitit 1999, forcat serbe vranë në këto fshatra 116 civilë që ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Zoran Vukotiç, është i vetmi i akuzuar për përfshirje në ato ngjarje. Ai ishte arrestuar në mars të vitit 2016 në rrethinën e Nikshiqit në Mal të Zi, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare dhe në muajin nëntor të vitit të kaluar u ishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës.

Mbi dhjetë mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë që mori fund me ndërhyrjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s.

Edhe më tej ndërkaq nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mije e 600 personave që llogariten të zhdukur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG