Lidhje

Me art në mbështetje të viktimave të përdhunimeve


Më moton “Mendoj për ty” në Prishtinë nëpërmjet një vepre artistike me mbi pesë mijë fustane u bë thirrje për më shumë mbështetje ndaj mijëra viktimave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë

Më shumë se 5 mijë fustane, të varura në stadiumin e Prishtinës, u shndërruan në një vepër artistike që synon ndërgjegjësimin për gjendjen e viktimave të përdhunimeve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Askush nuk e di numrin e saktë, por besohet se mijëra ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe. Numri i saktë mbase nuk do të mësohet kurrë dhe rrëfimet rreth tyre deri vonë ishin shumë të pakta për shkak të frikës nga stigmatizimi.

Viktimat e dhunës seksuale
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:12 0:00

Fustanet e mbledhura në kuadër të nismës së artistes shqiptaro britanike Alketa Xhafa-Mripa, synojnë të nxisin më shumë debat për këtë çështje. Nisma u mbështet nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila tha të premten se nisma me moton “Mendoj për Ty” synon të nxisë solidarizimin me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe thirrje për të thyer heshtjen, për të luftuar stigmën, për veprim, ndërgjegjësim, e pranim.

Sot, kjo fushë futbolli e mbushur me fustane, dhe kjo pamje, po më lë pa frymë. Nga njëra anë, për përmasat e një çështjeje që është heshtur për kaq gjatë. Nga ana tjetër, për shpresën që lind nga ky solidarizim, nga kjo përkrahje”, tha presidentja Jahjaga.

Presidentja tha se synimi është përkrahja e grave për t’i nxjerrë në dritë rrëfimet e tyre, për t’i hapur ato, jo për t’i mbajtur të mbyllura e të heshtura.

“Turpi nuk rëndon mbi to, por mbi ata që kryen këtë krim mizor mbi to. Ato e kanë guximin dhe më nuk duhet të ndihen të vetmuara”, tha ajo.

Ndjekja dhe dënimi i kësaj forme të krimit është dëshmuar punë e vështirë dhe aktualisht organet ndërkombëtare të drejtësisë janë duke ndjekur 14 raste të këtij krimi të luftës.

Pak më larg stadiumit të mbushur me fustane të premten u zbulua edhe një monument me emrin ‘Heroinat’, kushtuar sakrificës dhe kontributit të gruas gjatë luftës në Kosovë. Alma Lama, nismëtare tha se kjo është shprehje e mirënjohjes për angazhimin e grave për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.

Ky kontribut është i gjithanshëm. Është kontribut i atyre grave dhe vajzave të cilat nuk ngurruan të marrin armët në dorë dhe të dalin e të luftojnë për liri, duke dhënë edhe jetën. I atyre nënave, grave, motrave të cilat kishin barrën më të rëndë në luftë. U përkujdesën për të gjithë të afërmit e tyre, fëmijët mbi të gjitha në ato ditë të jashtëzakonshme të luftës”, tha zonja Lama.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ky memorial tregon edhe respektin institucional për kontributin e grave.

Ky memorial shënon pikë kthese jo vetëm në kujtesën tonë historike, por edhe respektin institucional dhe njohjen e vlerave dhe kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë nënat, gratë dhe motrat tona gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për më tepër, këtë memorial duhet parë edhe si një mirënjohje sublime, artistike por edhe shtetërore për të gjitha përjetimet tragjike të gruas shqiptare në tmerret e kësaj lufte por edhe gjatë historisë sonë kombëtare”, tha kryeministri Mustafa.

Të premten u mbushën 16 vjet që kur trupat e NATO-s u vendosën në Kosovë duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare ndërmjet forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare.

Nëntë vjet pas hyrjes së forcave të NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila njihet nga mbi 100 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila megjithatë është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, në shkëmbim të afrimit të saj me strukturat e Bashkimit Evropian.

Në një ceremoni solemne parlamenti i Kosovës shënoi këtë dite që në kalendarin e festave njihet si ditë e paqes. Seanca u bojkotua nga opozita e cila u shpreh e pakënaqur që nuk u është dhënë mundësia të flasin në ceremoni, që u zhvillua pa fjalime politike, por siç u tha e pakënaqur edhe me zhvillimet politike në vend.

XS
SM
MD
LG