Lidhje

EULEX-i i quan të ligjshme përgjimet në Kosovë


EULEX-i thotë së përgjimet ishin pjesë e hetimeve në Ministrinë e Transporteve dhe ato u bënë me urdhër gjykate

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, bëri të ditur se bisedat e përgjuara telefonike ku përfshihen kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë të lartë, janë bërë më urdhër gjykate, ndërsa po hetohet rruga e publikimit të tyre.

Në një komunikatë për media, të këtij misioni thuhet se prokurori i EULEX-it ka ngritur aktpadi ndaj Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit më 16 nëntor. Së bashku me padinë, të gjitha provat e mbledhura gjatë hetimit janë dorëzuar, siç kërkohet nga ligji i zbatueshëm.

Gjykata dhe avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë marrë nga një kopje të materialit të njëjtë. Dëshmia në dosjen e çështjes përfshinte përgjimet telefonike, përfshirë edhe dosjet me zë, që përfunduan në internet.

Sipas EULEX-it, të gjitha përgjimet janë kryer në bazë të një urdhri të gjykatës dhe asnjë mesazh me zë nuk ka rrjedhur në publik nga ana e prokuroritë të çështjes.

Në njoftim thuhet se prokuroria është duke e shqyrtuar çështjen, për të kuptuar nëse është kryer ndonjë vepër penale nga ata që kanë zbuluar informacionin dhe nëse kjo ka ndodhur atëherë do të nisen hetime.

Njeri nga personat e përfshirë në përgjimet e publikuara në internet është Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe ish zëvendës ministër në ministrinë e transporteve kur ajo drejtohej nga Fatmir Limaj, i cili më 16 nëntor është akuzuar për korrupsion.

Në Kosovë ka nxitur shumë reagime publikimi regjistrimeve të disa bisedave telefonike të përgjuara që pretendohet të jenë zhvilluar ndërmjet shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovcit dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ministres për integrime evropiane, Vlora Çitaku, ish shefit të Shërbimit Informativ Kadri Veseli dhe kryetarit të komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

Publikimi i regjistrimeve, nxiti reagimin qeverisë së Kosovës e cila kërkoi ndriçimin e këtij akti që ajo e quan skandaloz dhe kundërligjor. Ajo akuzoi siç thuhej, mekanizma të caktuar vendor dhe ndërkombëtarë, se përmes nxjerrjes së këtij regjistrimi synojnë të shtantazhojnë institucioneve shtetërore.

Kryeministri Thaçi ka kërkuar shpjegime për këtë çështje edhe nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton dhe zyrtarë të lartë të EULEX-it.

Zhvillimet rreth publikimit të bisedave të përgjuara kanë nxitur reagime edhe të partive politike që kërkojnë ndriçimin e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërsa ekspertë të drejtësisë thonë se publikimet e përgjimeve, hedhin hije mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë që edhe ashtu përballet me sfida të shumta.

Jehona e bisedave telefonike të përgjuara të zyrtarëve institucional, nxiti qeverinë e Kosovës që të miratojë me procedurë të përshpejtuar projektligjin për Përgjimet e Telekomunikimeve.
XS
SM
MD
LG