Lidhje

Kosovë: Bisedat e përgjuara - jep dorëheqje Adem Grabovci


Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, dha dorëheqje nga ky post, pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike.

Gazeta në internet, Insajderi.com, publikoi një pjesë të përgjimeve të bisedave të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike në të cilat, sipas gazetës, shfaqet ndikimi i ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike të nxjerra me vendim gjykate gjatë muajve të fundvitit 2011. Në dhjetor të vitit 2012 qenë publikuar disa syresh në të cilat përfshiheshin çështje të ndryshme të veprimtarisë qeveritare e partiake.

Përgjimet kishin të bënin me rastin e ish Ministrisë së Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci.

Në një komunikatë për opinion, zoti Grabovci njoftoi të martën se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

"Ditëve të fundit janë publikuar biseda në medie të cilat kanë pasur për objekt emrin dhe autoritetin tim politik e njerëzor. Me siguri këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time. Me qëllim të reagimit tim moral dhe politik ndaj një çështje të tillë dhe hapjes së mundësisë së trajtimit adekuat ligjor të këtij rasti, i cili ka prekur edhe privatësinë, por edhe autoritetin e subjektit politik dhe timin personal, ofroj dorëheqje nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së", thuhet mes tjerash në komunikatën e zotit Grabovci.

Publikimi i bisedave bëri që kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi të krijojë një ekip të prokurorëve nga zyra e tij dhe Prokuroria e Posaçme e Kosovës, që do të verifikojë dhe analizojë përmbajtjen e bisedave të përgjuara.

"Nëse do të gjenden elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, të cilat do të mund të ndiqen penalisht, prokuroria do t’i fillojë hetimet për ato vepra penale, pavarësisht se nga kush mund të jenë kryer", thuhej në njoftimin e zotit Lumezi.

Publikimi i përgjimeve nxiti shumë reagime në Kosovë. Diplomatë perëndimorë përfshirë edhe ambasadorin amerikan Greg Delawie, kërkuan analizë të plotë e transparente. "Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, shkroi ai në rrjetin social tëitter, pas publikimit të bisedave të përgjuara.

Partitë opozitare bënë thirrje që hetimet të cohën deri në fund, ndërsa grupe organizatash joqeveritare për disa ditë me radhe kanë protestuar duke kërkuar drejtësi dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG