Lidhje

Kosova anëtarësohet në Organizatën Botërore të Doganave


Autoritetet në Prishtinë thanë të premten se Kosova është anëtarësuar në Organizatën Botërore të Doganave.

Zyrtarët e qeverisë thanë se anëtarësimi në këtë organizatë është shumw i rëndësishëm pas anëtarësimit në Bankën botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, që lidhet me fushën e zhvillimit ekonomik.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se anëtarësimi në këtë organizatë hapë rrugë të reja për zhvillimin e Kosovës.

“Ky hap ka rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për përparimin e raporteve ekonomike dhe tregtare të Kosovës me të gjitha shtetet e botës, anëtare të kësaj konvente si dhe për shumë aspekte që lidhen me shtetësinë dhe me përparimin e Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Mustafa tha se nëpërmjet kësaj organizate Kosova do të mund të luftojë dukuritë negative.

“Anëtarësimi në konventa dhe organizata tjera ndihmon në tregti me shtetet tjera, ndihmon shkëmbimin e informative dhe përvojave, përforcon sigurinë kufitare, përmirëson dhe ndihmon tregtinë e jashtme të Kosovës, lufton piraterinë, ekonominë jo formale, në luftimin e terrorizmit dhe shumë përfitime tjera të cilat ndihmojnë në arritjen e objektivave për të luftuar dukuritë negative nëpërmjet kësaj organizate”, tha kryeministri Mustafa.

Organizata Botërore e Doganave është themeluar në vitin 1952 dhe përbëhet nga 180 vende të botës. Selia e saj qendrore ndodhet në Bruksel.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, ndërsa edhe më tej përballet me vështirësi në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, pasi që Serbia që nuk e njeh pavarësinë e saj, kundërshton çdo anëtarësim të Kosovës në këto organizata.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG