Lidhje

BB zotohet të mbështesë Kosovën


Banka Botërore synon të mbështesë Kosovën në synimet e saj për zbutjen e papunësisë dhe varfërisë.

Zëvendës presidentja e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore Laura Tuck është zotuar se kjo bankë do të mbështesë Kosovën në përpjekje për krijimin e vendeve të punës dhe zbutjen e varfërisë.

Zotimet e saj u bënë gjatë një vizite dyditëshe në Kosovë për të parë nga afër mundësitë dhe sfidat e zhvillimit të Kosovës dhe për të hapur këshillimet për kuadrin e ri të partneritetit për periudhën 2016 – 2020

Zonja Tuck e cila është takuar me udhëheqësit më të lartë të Kosovës, tha se “krijimi i vendeve të punës dhe zbutja e varfërisë janë përparësi për Kosovën. Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë reformat në Kosovë që mundësojnë këtë dhe afrojnë vendin me standardet evropiane të jetesës”.

Ajo tha se “përmirësimi në arsim dhe në mjedisin e të bërit biznes, që janë thelbësore në përpjekjet e Kosovës për të rritjen ekonomike dhe zbutjen e papunësisë, janë disa nga fushat që do të mbështeten nga Banka Botërore në vitet në vazhdim”,

Zonja Tuck vizitoi edhe Termocentralin e vjetruar Kosova A afër Prishtinës që është edhe ndotës i mjedisit si dhe u takua me punonjësit e sektorit të energjisë që mbetet një nga pengesat që Kosova të arrijë synimet e saj për zhvillimin socio ekonomik.

Mungesa e energjisë elektrike u kushton bizneseve dhe pengon Kosovën që të nxisë investime cilësore e të drejtpërdrejta në një shkallë të domosdoshme që do të rrisnin ekonominë dhe do të krijonin vende të reja pune.

“Furnizimi i qëndrueshëm dhe i përballueshëm me energji është me rëndësi thelbësore për zhvillim e zbutje të varfërisë dhe Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë Kosovën për zhvillimin e një sistemi elektro energjetik më të frytshëm, më bashkëkohor dhe më të pastër me qëllim që të zgjidhet kriza energjetike në mënyrë më të gjithanshme”, citohet të ketë thënë zonja Tuck, sipas së cilës kjo nënkupton që të krijohet një drejtpeshim ndërmjet sigurisë energjetike dhe që ajo të jetë e përballueshme, ndërsa nga ana tjetër të zbusë ndikimet mjedisore, shëndetësore e sociale të qytetarëve.

Banka Botërore dhe qeveria e Kosovës kanë nënshkruar kohët e fundit një marrëveshje 31 milion dollarëshe për energji efikase dhe energji të ripërtërishme.

Që nga viti 1999, Banka Botërore ka dhënë apo ka menaxhuar rreth 400 milion dollarë në Kosovë nëpërmjet 30 operacioneve të ndryshme.

Kosova shpalli pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ndërsa në qershor të vitit 2009 ajo u bë anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtarë. Anëtarësimi që vlerësuar me rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës e cila përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG