Lidhje

Banka Botërore, Kosova me rritjen më të lartë ekonomike në rajon


Përfaqësues të Bankës Botërore në Kosovë thonë se në vitin 2017 pritet që rritja ekonomike të shkojë në 3.9 për qind posaçërisht nga investimet publike dhe konsumi.

Këto përfundime janë pjesë e raportit ekonomik mbi Evropën Juglindore, në të cilin thuhet se investimet vendase dhe ndërkombëtare janë çelësi për të përshpejtuar rritjen ekonomike në Kosovë.

Shefi i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, tha se rritja ekonomike e Kosovës mbetet më e larta në rajon, dhe se sipas tij edhe këtë vit të dhënat flasin për një rritje ekonomike pozitive.

“Kjo rritje ekonomike mund të arrihet nëse për brenda arrihet që të thithen investimet publike që janë planifikuar në mënyrë ambicioze dhe përmes vazhdimit të reformave”, tha zoti Mantovanelli.

Sipas raportit të Bankës Botërore, rritja ekonomike në Kosovë krijoi vende të reja të punës dhe zvogëloi varfërinë në vitin 2016. Raporti bën thirrje që të rritet prodhimi dhe konkurrenca për ta bërë të qëndrueshme këtë rritje dhe për të zvogëluar papunësinë e lartë posaçërisht tek të rinjtë.

Ekonomisti i Bankës Botërore, Agim Demukaj, foli për të arriturat e Kosovës që kanë mundësuar rritjen aktuale ekonomike.

“Janë rritur vendet e punës, kemi pasur një defiçit fiskal më të ultë, ka pasur një perfomancë të mirë të sektorit financiar e cila ka ndihmuar në rritjen ekonomike të vitit 2016 dhe një karakteristikë tjetër e Kosovës është që diaspora vazhdon të mbështesë rritjen ekonomike përmes disa burimeve, përmes dërgesave të parave, përmes investimeve të huaja direkte që kryesisht investohen në patundshmëri dhe përmes eksportit të shërbimeve”, tha zoti Demukaj

Ai tha se mënyra më e mirë për të krijuar vende të reja pune është përmes tërheqjes së investimeve të huaja të cilat sipas tij do të mundësonin rritjen e eksportit.

“Kosova e ka përqindjen më të lartë në rajon sa i përket papunësisë. Trendi pozitiv duhet të ndodhë shumë më shumë. E dimë se nga anketimet për rreth një e treta e popullsisë janë në gjendje në nevojë dhe për të ndikuar në këtë Kosova do të duhet të ketë një rritje më të madhe ekonomike. Me të vërtetë është konkurrenca e jashtme, e cila është problem ende për krijimin e vendeve të reja të punës. Reformat me kalimin e kohës duhet të ndikojnë në ekonomi dhe kapacitete më të mira për të qenë konkurrent”, tha zoti Demukaj.

Në raport thuhet se gjatë këtij viti rritja ekonomike mund të ndikohet edhe nga rreziqet e jashtme, për shkak të situatës në përgjithësi në Evropë, Turqi dhe Rusi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG