Lidhje

Kosovë, 95 për qind e qytetarëve kundër përfshirjes në konfliktet në Siri dhe Irak


Një studim i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, nxjerr në pah se shumica e qytetarëve të anketuar e shohin të rrezikshme pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak përkrah organizatave terroriste.

Anketë në Kosovë për ekstremizmin
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:11 0:00

Rezultatet janë përmbledhur në një edicion të posaçëm të Barometrit të Sigurisë me titull “Pikëpamjet e qytetarëve ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë” nëpërmjet të cilit qendra ka bërë matjen e opinionit publik rreth besueshmërisë së qytetarëve në institucionet fetare, kërcënimet dhe rreziqet që burojnë nga grupet ekstremiste dhe kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Anketa që përfshinë mbi një mijë qytetarë tregon se shumica e qytetarëve frikësohen nga organizatat terroriste ISIS dhe al-Nusra.

“Qytetarët janë pyetur se sa ndihen të kërcënuar direkt dhe shumica e qytetarëve, rreth 76 për qind i shohin si shumë të rrezikshme këto organizata terroriste”, tha Vesë Kelmendi nga Qendra e Kosovës për studime të sigurisë.

Ajo tha se 95 për qind e shohin të rrezikshme pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në konfliktet në Siri dhe Irak. Ajo thotë ndërkaq se qytetarët e shohin në mënyra të ndryshme cështjen e kthimit të tyre në Kosovë.

“Qytetarët patën një opinion mjaft të matur sa i përket të kthyerve, ku rreth 55 për qind e tyre thonë se ata duhet të rehabilitohen, t'u nënshtrohen masave ri-integruese, ri-socializuese dhe të kenë më shumë mundësi të programeve për këta persona. Rreth 22 për qind pohuan se këta duhet të arrestohen”, tha ajo.

Në raport thuhet se rreth 57 për qind e qytetarëve të anketuar mendojnë se qeveria e Kosovës dështoi në luftimin e ekstremizmit te dhunshëm dhe radikalizmit, ndërsa rreth 35 për qind e të anketuarve e shohin si deri diku të suksesshme punën e qeverisë në luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit te dhunshëm në Kosovë.

Florian Qehaja drejtor ekzekutiv i kësaj qendre tha se me gjithë angazhimin e institucioneve për të parandaluar këtë dukuri, puna e deritashme nuk mjafton.

Ana represive nuk zgjidhë problemin, është vetëm një aspekt i saj. Çka po ndodhë me ata që nëse i çojmë të gjithë në burg dhe fillojnë ta shpërndajnë helmin e kësaj ideologjie nëpër burgje, a kemi ne kapacitete nëpër burgjet tona që të merremi në afat më të gjatë me këta persona kur dalin prej burgut. Nuk kemi, jo veç ne por askush, asnjë shtet në Evropën Lindore nuk e ka sistemin korrektues të nivelit që ne dëshirojmë të kemi dhe ne ende kemi sistemin post-socialist, do të thotë sistemin e burgjeve”, tha zoti Qehaja.

Raporti nxjerr në pah po ashtu se rreth 57 për qind e qytetarëve u besojnë më shumë institucioneve fetare se sa atyre shtetërore. Rreth 60 për qind e qytetarëve të anketuar i vlerësuan militantët e partive politike si rrezikun më të madh në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë thonë se përmes strategjisë kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit” janë duke punuar në deradikalizimin, rehabilitimin dhe integrimin e personave të cilët kanë qenë pjesë e luftërave në Siri dhe Irak, përkrah organizatave terroriste.

Që nga viti 2014, autoritetet në Kosovë kanë bërë përpjekje që nëpërmjet arrestimeve dhe ligjeve të ndalojnë shkuarjen e qytetarëve të saj në luftërat në Siri dhe Irak. Deri tash janë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza, ndërsa janë dënuar edhe imam për rekrutimin e luftëtarëve.

XS
SM
MD
LG