Lidhje

Kostoja e lartë e një fushate premtimesh


Megjithë çlirimin që krijon mbarimi i fushatës, duhet thënë se amerikanët kaluan një nga vitet zgjedhore më të papëlqyeshme në histori, siç e cilësojnë disa analistë. Tani analistët po shohin përtej datës 8 nëntor. Nisur nga programi i kandidatëve ata parashikojnë se kreu i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë do të përballet me një detyrë mjaft të vështirë në administrimin e ekonomisë më të madhe të botës.

Tani që debatet presidenciale kanë përfunduar, u takon amerikanëve të zgjedhin udhëheqësin e tyre të ardhshëm. Nisur nga diferencat e mëdha dhe retorika e nxehtë politike, presidenti i ardhshëm duhet të japë disa shpjegime.

“E thënë thjesht, zgjedhjet kanë pasoja. Ato janë një kontratë e vështirë me popullin amerikan. Po punësohesh të kryesh një detyrë dhe botëkuptimi i popullit amerikan mbi arsyet që të ka punësuar lidhet me atë se çfarë ke premtuar në fushatë,” - thotë William Galston, ish-këshilltar i presidentit Bill Clinton.

Sipas zotit Galston, nëse Donald Trump zgjidhet president, i duhet të bëjë publike koston e vërtetë të murit që kërkon të ndërtojë në kufi me Meksikën. Zoti Trump thotë se do të kushtojë 12 milion dollarë por nga parashikime të pavarura del se kostoja do të jetë 40 milion. Trump thotë se edhe Meksika do të paguajë për murin, por shumë ekspertë thonë se kjo ka pak gjasa të ndodhë.

Edhe zonja Hillary Clinton duhet të shpjegojë ato çfarë premton, nëse zgjidhet.

“Ajo flet për një politikë të re për fëmijët, për një program të madh infrastrukturor, për një reformë gjithëpërfshirëse për imigrimin. Populli amerikan pret që ajo të mbajë përgjegjësi për të gjitha këto,”- thotë William Galston.

Por sfida e vërtetë lidhet me mënyrën se si do të financohen këto programe.

“Për shembull, Donal Trump ka premtuar se nuk do prekë programet që lidhen me sigurimet shëndetësore apo shoqërore. Hillary Clinton ka premtuar se nuk do të ngrejë taksat për ato familje që kanë më pak se 250 mijë dollarë të ardhura në vit. Tingëllon shumë mirë, por nëse do që të shpenzojë aq sa ajo kërkon, problemi nuk mund të zgjidhet vetëm duke taksuar të pasurit,”- thotë Maya Macguineas, Presidente e Komisionit të Pavarur për një Program të Përgjegjshëm Federal.

Zonja Macguineas thotë se presidenti i ardhshëm do të të përballet me sfidën e një rritje të ngadaltë ekonomike dhe një treg pune të pasigurtë për shumë amerikanë, megjithë ndonjë përparim të lehtë. Përveç stanjacionit të pagave dhe rritjes së pabarasizë së të ardhurave, sfida më e fortë mbetet borxhi, parashikuar të arrijë kufirin e 20 trilionë dollarëve në fund të vitit.

“Hillary Clinton do të ruajë status quo-në. Donald Trumpi mund ta përkeqsojë. Pra nëse i krahasojmë, zonja Clinton është shumë përpara por asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë plan për të cilin ne shpresojmë. Për këtë shkak asnjëri nuk merr notë kaluese”.

Zonja Macguineas thotë se plani i zotit Trump do t’i shtojë borxhit 5 trilion dollarë ndërsa zonja Clinton 200 miliardë. Asnjëri prej tyre nuk ka në plan që të ulë borxhin.

Por pas një sezoni zgjedhor skandalesh dhe pretendimesh të zotit Trump për zgjedhje të manipuluara, rënia e besimit të votuesve dhe bllokimi i mundshëm në Kongres, do të jenë sfidat e mëdha për presidentin e ardhshëm amerikan.

XS
SM
MD
LG