Lidhje

Kostoja e “fshehtë” e Olimpikeve në Rio


Lojrat Olimpike të Rios mund të kenë kushtuar diku 4.5 deri në 6 miliardë dollarë, shumë më pak se lojrat në Soçi apo Londër. Një pjesë e parave u shpenzua në projektet e përmirësimit të infrastrukturës të cilat do të lenë gjurmë në të ardhmen e qytetit. Por, sikurse njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Swicord nga Rio de Zhanerio, kostoja sociale e lidhur me këto zhvillime do të ndikojë tek disa banorë të Rios për gjithë jetët e tyre.

Daniel Campos e ndërtoi shtëpinë e tij në lagjen Curicica (kjurisika) në veri të Parkut Olimpik, pjesë-pjesë, kur kishte para. Në vitin 2012, policia i kërkoi që ta braktiste shtëpinë pasi aty do të ndërtohej autostrada transolimpike për të mundësuar qarkullimin e sportistëve nga parku olimpik për në zonën Deodoro.

Kur ai dhe fqinjët rezistuan, thotë ai, qyteti e lejoi të qëndronte por zbuloi kanalin e ujrave të zeza para shtëpive të tyre.

“Ata thanë se do të hiqnin mbulesën që njerëzit kishin vënë për t’u mbrojtur nga minjtë, insektet dhe ujrat e zeza, sepse sipas tyre ishte e ndalur të mbulohej dhe ata do ta pastronin lumin. Deri tani ende se kanë pastruar lumin.”

Bashkia instaloi këto ura të rrezikshme përgjatë kanalit të ujrave të zeza për tek shtëpitë e lagjes. Danielit i është dashur të mbajë disa mace për të mbrojtur shtëpinë nga parazitët e kanaleve.

Investimet në infrastrukturë si hekurudhat, autostradat, hotelet dhe objektet sportive janë rrjedhojë pozitive e lojrave. Por ky zhvillim ka patur edhe një kosto sociale. Sipas përllogaritjeve, rreth 20 mijë njerëz janë dëbuar nga shtëpitë e tyre si rezultat i ndërtimeve të reja për lojrat olimpike. Robert Muggah është me organizatën joqeveritare, Instituti Igarape. (agarapi)

“Ka patur mes atyre që u është thënë në mes të natës që të braktisin pronat e tyre, shpesh përmes forcës dhe grupeve militante që i kanë detyruar njerëzit të largohen. Padyshim, është një trashgimi e tmerrshme nga Olimpiket. Do të ketë pasoja shumë kohë pas mbarimit të olimpikeve.”

74 vjeçarja Enida Sousa thotë se bashkia donte ta çonte atë në një strehë pleqsh dhe të rrëzonte shtëpinë e saj.

“U frikësova shumë kur dëgjova se duhet të largoheshim. U trishtova kur pashë që u morën shtëpitë fqinjëve. Pastaj filloi pluhuri. Dhe unë u sëmura.”

Ajo pretendon se si rezultat i pluhurit atë e kapi pneumonia. Driddhjet e dheut nga ndërtimet dëmtuan strukturën e shtëpisë së saj. Zyrtarët e bashkisë tani thonë se ajo mund të qëndrojë por kanë refuzuar të rregullojnë dëmtimet në banesën e saj.

XS
SM
MD
LG