Lidhje

Ministri i jashtëm grek viziton Shqipërinë


Shqipëria dhe Greqia do të krijojnë një mekanizëm të përbashkët për të zgjidhur gradualisht çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve.

Ministri grek i punëve të jashtme Nikos Kotzias, po zhvillon një vizitë dyditore në Tiranë, ku u prit me tubime proteste nga shqiptarët e krahinës së Çamërisë.

Ata kërkojnë respektimin e të drejtave njerëzore të popullsisë çame, kthimin e pronave të tyre të sekuestruara nga shtetit grek dhe njohjen si genocid ndaj banorëve çamë dëbimin e tyre nga territoret e tyre historike.

Ministrit shqiptar të punëve të jashtme, Ditmir Bushati, iu desh sot t'iu kërkonte protestuesve të lironin portën e ministrisë pak minuta para se të mbërrinte aty për një vizitë dyditore, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias.

Tubimi u organizua nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila ka kërkuar diskutimin e çështjes çame.

Protestuesit kërkuan heqjen e ligjit të luftës nga Greqia, i cili pengon kthimin e pronave të popullsisë shqiptare të krahinës së Çamërisë.

Ministri Bushati tha se me çështjen çame Shqipëria kërkon kthimin e një drejtësie të munguar.

“Çështja çame është pjesë e kapitullit që e ka origjinën në Luftën e Dytë Botërore. Jemi vende fqinje dhe është normale të kemi lexime të ndryshme, besojmë se një trajtim realist do të zbuste tonet nacionaliste dhe të vendoste drejtësinë e munguar. Nuk bëhet fjalë për pretendime territoriale. Shqipëria nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial”, - tha ministri Bushati.

Të dy vendet po bisedojnë prej disa kohësh për një platformë të përbashkët që të zgjidhë në mënyrë peridike çështjet e hapura.

Ndërsa ministri grek i punëve të jashtme Nikos Kotziasias thotë se ligji i luftës ka mbetur një teknikalitet, dhe natyrisht të dy vendet nuk janë në luftë.

“Një grup çamësh jetojnë në Shqipëri dhe uroj të ketë përfitime nga integrimi i Shqipërisë në BE. Janë disa çamë të vjetër kristianë të myslimanizuar të vitit 1911, të cilët janë grekë. Janë disa çamë, që bashkëpunuan me pushtuesin gjerman, të cilët u dënuan nga gjykatat greke. Ndryshe nga njerëz të tjerë që jepnin llogari në Europë, u larguan nga vendi dhe nuk u ekzekutuan. Kur flasim për këta çamë, nuk nënkuptojmë shqiptarë dhe nuk nënkuptojmë Shqipërinë. Disa duan t’i bëjnë t'i barazojnë shqiptarët dhe ata që kanë bashkëpunuar me nazizmin. Për ne ekziston problemi në mënyrën si e percepton vendi fqinj. Ne kemi një qasje të ndryshme dhe këto janë të njohura nga pikëpamja e historisë”, tha ministri Kotzias.

Qeveria greke ka deklaruar qysh në 1987 se të dy vendet nuk janë në luftë.

Po ashtu në vitin 1996 Shqipëria dhe Greqia kanë miratuar një marrëveshje miqësie, ndërkohë që integrimi në NATO dhe BE i bën të dy vendet miq dhe partnerë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG