Lidhje

Zëvendësimi i anëtarit të KQZ, shtyhet votimi


Bllokohet puna në Komisionin qëndror të Zgjedhjeve. Tre anëtarët e propozuar nga të majtët dhe zoti Muho i propozuar nga LSI braktisën mbledhjen e sotme

Në Shqipëri parlamenti shtyu për të hënën e ardhshme votimin për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, propozuar nga Lëvizja socialiste për integrim. Vendimi I marrë dje nga Komisioni i Ligjeve vetëm me votat e së djathtëve ka rritur tensionin politik. Lsi ka kërkuar ndërhyrjen e trojkës së ambasadorëve. Kreu i pranisë së Osbe-së në Tiranë Eugen Wollfarth tha sot se duhet të sqarohet baza ligjore mbi të cilën po veprohet

Shtyhet votimi për anëtarin e ri të KQZ
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Situata e nderë e krijuar nga vendimi i shumicës së djathtë për të zëvendësuar anëtarin e Komisionit qëndror të Zgjedhjeve të propozuar nga Lëvizja socialiste për Integrim, u ndje që në mjediset e jashtme të parlamentit. Për më shumë se tre orë deputetët qëndruan në pritje të nisjes së seancës dhe askush nuk dinte shkaqet e vonesës. Votimi i paralajmëruar nuk ishte një cështje e lehtë, edhe për shkak të numrave, pasi ashtu si dhe në rastin e votimit të ministrave të rinj, demokratët do të duhen t’i shtrijnë sërish dorën tre deputetëteve socialistë të pakënaqur, që janë larguar nga grupi i tyre. Seanca filloi pasi më parë ishte marrë vendimi për shtyrjen e hedhjes në votim të ndryshimit në KQZ.

Kalimi i Lëvizjes socialiste në opozitë shtyu partinë demokratike që të vepronte me shpejtësi dhe të mbyllte brenda ditës së djeshme procedurat e zëvendësimit në komisionin e ligjeve, me argumentin se barazpeshimi politik në Komisionin qëndror dhe për pasojë edhe ne nivelet e dyta ishte prishur. Demokratët ju përmbajtën një arsyetimi nisur nga fryma sic thanë ata, e vetë kodit zgjedhor. Por po i njejti kod, ka parashikuar në mënyrë specifike rastet kur ndërpritet mandati, dhe në asnjë prej tyre, nuk bëhet fjalë për ndërprerje kur ndryshojnë raportet politike në parlament.

Opozita e cilësoi si antikushtetues vendimn e të djathtëve. Sot kryetari I Lëvizjes socialiste për integrim Ilir Meta foli gjithashtu për një akt të rëndë: “Problemi është që kemi një sjellje prej diversantësh, jo prej ligjvënësish, jo prej politikanësh, jo prej njerëzish të përgjegjshëm. Ky është shqetësimi”.

Por ndërsa parlamenti ishte në pritje, tensioni ishte transferuar edhe në Komisionin qëndror të Zgjedhjeve, ku anëtarët e propozuar nga e majta, së bashku me zotin Ilirjan Muho, i propozuari I LSI-së, braktisën mbledhjen. Puna në Komisionin qëndror të Zgjedhjeve u bllokua duke qenë se mbeti vetëm me tre anëtarë.

Situata e krijuar ka aktivizuar përfaqësuesit më të rëndësishëm ndërkombëtarë në TIranë. Mbrëmë LSI kërkoi ndërhyrjen e trojkës së ambasadorëve. Sot kreu i pranisë së OSBE-së Eugen Wollfarth, tha se aspektet politike varen nga mënyra se si i sheh cdo kamp, ndërsa ato ligjore duhet të jenë të njejta për të gjithë: "Do të jetë shumë e rëndësishme të kemi shpjegime të mëtejshme lidhur me bazën ligjore mbi të cilën është marrë apo duhet të merret çdo vendim. Disa aktorë politikë, por gjithashtu edhe ekspertë ligjorë, na kanë shprehur dyshime lidhur me bazën ligjore. Prandaj, nga këndvështrimi ynë, ne do të ftonim qartas që të sqarohet baza ligjore mbi të cilën veprohet”. Sipas ambasadorit Wollfarth “në kohën kur u zgjodhën, u emëruan dhe u miratuan nga parlamenti, nëtarët e KQZ-së reflektuan gjendjen e opozitës dhe të qeverisë në parlament. Kur morën detyrën, ata morën një detyrë apolitike”, saktësoi ai. Nga ana e tij ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi, tha vetëm se cështja po ndiqet nga afër prej tyre.
XS
SM
MD
LG