Lidhje

Dorëheqje e dytë në KQZ, komplikohet situata


Pas nënkryetarit Denar Biba, largohet dhe anëtarja Albana Shtylla. Situata politike dhe zgjedhjet e 23 qershorit në qendër të bisedimeve në Tiranë të zyrtarit të lartë të DASH, Jonathan Moore.

Në Shqipëri, pas dorëheqjes së mbrëmshme të nënkryetarit të Komisionit qëndror të Zgjedhjeve sot i njëjti akt u krye edhe nga anëtarja tjetër e propozuar nga partia socialiste, Albana Shtylla. Të dy dorëheqjet vijnë si shenjë proteste ndaj vendimit të parlamentit dy ditë më parë, për të zëvendësuar njërin nga anëtarët e KQZ-së. Kryetarja e parlamentit kërkoi sot plotësimin e menjëhershëm të vendeve bosh, ndërsa duket se socialistët mund të mos cojnë kandidaturat e tyre. Situata e ndezur politike në prag të zgjedhjeve të ardhshme ka qenë në qendër edhe të bisedimeve që ka patur sot në Tiranë edhe Drejtori për Europën Qendrore dhe jugore në departamentin e Shtetit Jonathan Moore



Komplikohet situata në Komisionin qëndror të Zgjedhjeve, institucioni i cili është vënë ditët e fundit në qendër të vëmendjes pas vendimit të shumicës së djathtë e cila me votat e saj në parlament zëvendësoi anëtarin e propozuar nga Lëvizja socialiste për Integrim. Pikërisht ky vendim ka qenë shkaku për të cilin nënkryetari Denar Biba, deklaroi mbrëmë se kishte dhënë dorëheqjen e parevokueshme, ndërsa sot atë e ndoqi edhe anëtarja Albana Shtylla: “Kushdo që do ishte në vendin tim,nëse do të kishte konstatuar se gjatë ushtrimit të një detyre të caktuar, të një funksioni publik, i cënohet integriteti dhe garanzia ligjore që është shumë e rëndësishme për ushtrimin e mandatit do të bënte të njetin veprim”.

Kodi Zgjedhor parashikon se zëvendësimi i anëtarëve të Komisionit Qëndror bëhet jo më vonë se 48 orë nga lënia e vendit bosh. Si zoti Biba ashtu dhe zonja Shtylla ishin propozuar nga partia socialiste dhe i takon po asaj të propozojë emrat e rinj. Kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli I kërkoi sot kryetarit të grupit socialist paraqitjen e kandidaturave për dy vendet e mbetura bosh. Por duket se ato rrezikojnë të mos plotësohen, të paktën jo shpejt. Këtë la të kuptohet edhe kryetari socialist Edi Rama: “Këtu nuk flasim për zëvendësim personash, këtu flasim për rikthimin në ligjshmëri të KQZ-së”.

Nga pikëpamja praktike, mungesa e dy anëtarëve nuk e pengon përditshmërinë e funksionimit të institucionit, por ajo rrezikon të cënojë imazhin dhe besueshmërinë e tij. Gjithshka do të varet nga vendimi zyrtar që socialistët do të duhet të marrin.

Vendimi i dy ditëve më parë i parlamentit ka shkaktuar reagime të forta dhe e ka ndezur situatën. Gjendja e krijuar duket se ka qenë në qendër të bisedimeve që sot ka zhvilluar në Tiranë edhe Drejtori për Europën Qëndrore dhe jugore në departamentin e Shtetit Jonathan Moore. Pas takimit me të, kryetari socialist Rama tha se ishin ndalur vecanërish të cështja e Komisionit Qëndror të zgjedhjeve: “Theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Besoj se gjetëm mirëkuptimin e plotë për domosdoshmërinë që këto zgjedhje, kaq të rëndësishme për Shqipërinë, në një moment të rëndësishëm siç është ky moment për vendin edhe në kontekstin e integrimit europian dhe të zhvillimeve në rajon, të mos ketë asnjë arsye që nesër zgjedhjet të jenë të papranueshme”.

Zoti Moore zhvilloi bisedime edhe me ministrin e Jashtëm Aldo Bumci, i cili sipas njoftimit zyrtar, ka garantuar se “Qeveria Shqiptare është e angazhuar të zhvilloje një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”.

Situata e krijuar pas vendimit të shumicës për KQZ-në i ka dhënë ndërkohë një dimension tjetër aleancës mes LSI-së dhe socialistëve, të cilët kanë bashkuar votat nëpër këshillat bashkiakë e komunalë duke marrë kontrollin e tyre thuajse në pjesën dërrmuese të qyteteve kryesore e duke kërkuar si në rastin edhe të Tiranës, të kenë edhe drejtimin e këtyre këshillave.
XS
SM
MD
LG