Lidhje

KQZ hedh poshtë kërkesat e Partisë Socialiste


KQZ hedh poshtë kërkesat e Partisë Socialiste
KQZ hedh poshtë kërkesat e Partisë Socialiste

Në Shqipëri Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve hodhi sot poshtë ankimin e Partisë Socialiste e cila kundërshtonte shpalljen e rezultatit për bashkinë e Tiranës, me fitues kandidatin demokrat LuLëzim Basha si dhe kërkonte pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 284 qendra votimi në të cilat sipas saj janë vërejtur shkelje serioze të cilat kanë cuar në një mospërputhje të shifrave mes fletëve të votimi dhe numrit të votuesve. Katër anëtarët e së djathtës në Komisionin Qëndror votuan kundër duke u shprehur se ky Komision nuk ka kompetencë të shqyrtojë kundërshtimin e rezultatit të shpallur prej saj ndërkohë që kërkesa për pavlefshmëri sipas saj është jashtë afateve.

Arsyetimet e tyre anëtarët e djathtë të Komisionit qëndror të Zgjedhjeve i motivuan me faktin se opozita nuk mund të ankohej për shpalljen e rezultatit pasi Komisioni vetëm sa kishte zbatuar një urdhërim të gjykatës, dhe fituesin e kish shpallur më herët prandaj ankimimi i socialistëve mund t’i drejtohej vetëm Kolegjit zgjedhor. Ndërsa lidhur me mosrakordimin e shifrave, sipas anëtarëve të djathtë të Komisionit, opozita mund të ishte ankuar në përfundim të fazës së parë të procesit, gjë që nuk kish ndodhur e për pasojë, sipas tyre, ishin tejkaluar afatet.

Por përfaqësuesit e Partisë Socialiste mbrojtën kërkesën e tyre duke u shprehur se ajo ishte e mbështetur në ligj dhe se shpallja e fituesit për bashkinë e Tiranës nga ana e Komisionit qëndror të zgjedhjeve ishte bërë pasi Kolegji e kish rrëzuar vendimin e mëparshëm për fituesin. Po ashtu sipas socialistëve Kolegji i bëri nul edhe tabelat e mëparshme të rezultatit dhe Komisioni Qëndror prodhoi tabela të reja e për pasojë ankimimi i tyre ishte plotësisht i vlefshëm. Sipas socialistëve Kolegji Zgjedhor kish urdhëruar edhe rakordimin e shifrave, ndërkohë që edhe sipas tabelave të fundit, ka mospërputhje mes numrit të votuesve dhe fletëve të votimit, mospërputhje që sipas opozitës janë prodhuar gjatë procesit të rinumërimit të realizuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Përtej debateve, cështja tani mbetet në duart e Kolegjit Zgjedhor. Socialistët duhet të paraqesin ankimimin e tyre brenda 5 ditësh, e më pas vetë Kolegji ka 10 ditë kohë për të marrë vendim, nëse do të mbyllë kapitullin e sfidës për kryetarin e bashkisë së Tiranës apo do ta rihapë atë duke pranuar kërkesën e opozitës e duke i dhënë udhë një procesi të ri votimi në kryeqytet.

XS
SM
MD
LG