Lidhje

KQZ refuzon ndarjen e mandateve


Rrëzohet kërkesa e përfaqësuesve të opozitës. Kryetarja e KQZ Lefteri Lleshi “Nuk e kemi më tagrin t’i rikthehemi. Cështja i ka kaluar parlamentit”.

Në Shqipëri cështja e mandateve shkaktoi sot debate të reja në komisionin qëndror të zgjedhjeve ku socialistët kërkuan që të merrej vendim për ndarjen e tyre nga KQZ. Por përfaqësuesit e shumicës e hodhën poshtë një kërkesë të tillë përsa kohë, sic thanë ata, kjo cështje i ka kaluar tashmë parlamentit. Komisioni i ligjeve javën e shkuar vendosi që të mbetet në fuqi ndarja e mandateve për deputetë sipas skemës të vitit 2009


Komisioni qëndror i zgjedhjeve u përfshi në polemika të reja sot ndërsa refuzoi kërkesën e përfaqësuesve të opozitës që të diskutohej për ndarjen e mandateve.
“Parlamenti e ka marrë tani këtë detyrë. KQZ nuk ka më tagrin për t’u rikthyer e për të marrë edhe një herë në diskutim mandatet. Nëse ju do të kishit probleme me vendimin e KQZ kolegji zgjedhor ishte aty”, deklaroi kryetarja Lefteri Lleshi.

Në fund të vitit të shkuar Komisioni nuk arriti të merrte një vendim për ndarjen e zonave, sipas të dhënave të përditësuara nga zyra e gjendjes civile. Për shkak të ndryshimeve demografike Tiranës dhe Durrësit i takonte të kishin nga një mandat deputeti më shumë, i cili do t’i hiqej Korcës, dhe Beratit ose Kukësit. Por socialistët hodhën dyshime të forta për një rritje artificiale sipas tyre të popullsisë në Kukës. Në fillim të janarit sekretarja e përgjithshme e Komisionit qëndror ju drejtua parlamentit që ta realizonte ai ndarjen e mandateve. Dhe Komisioni i ligjeve e përfshiu në rend të ditës dhe javën e shkuar miratoi variantin i cili linte në fuqi skemën e 2009.

Por sipas nënkryetarit të KQZ të propozuar nga partia socialiste Denar Biba, komisioni nuk kishte marrë vendim për ndarjen e mandateve dhe i takonte atij ta bënte këtë:“KQZ nuk ka marë nje vendim për t’i propozuar parlamentit ndarjen e mandateve. Përsa kohë kjo vendimmarrje nuk është realizuar, ajo i takon sërish KQZ që ta bëjë".

Në mbledhjen e grupit të tij parlamentar kryeministri Sali Berisha e quajti absurd ndryshimin e qëndrimit të opozitës për mandatet: “Cila është përgjegjësia kur dy muaj më parë thoshte se me këtë projekt Sali Berisha po na merr mandatet he pas dy muajsh thotë, Jo, jo, se ky projekt është ai që duam ne”.

Javën e shkuar demokratët thanë se KQZ nuk mund të rishqyrtonte cështjen duke qenë se ajo ishte bërë pjesë e procedurave parlamentare. Socialistët e konsiderojnë një manovër të shumicës vendimin për mandatet duke qenë se afati i fundit sipas tyre është më 7 mars dhe e cilësojnë si një shkelje të kushtetutës duke qenë se ndarja sipas skemës të 2009, shpjegojne ata, bie ndesh me kodin zgjedhor i cili përcakton se numri i zgjedhësve për një mandat duhet të jetë përafërsisht i barabartë.
XS
SM
MD
LG