Lidhje

KQZ numëroi përsëri vota nga kutitë e njësisë bashkiake katër


KQZ numëroi përsëri vota nga kutitë e njësisë bashkiake katër

KQZ numëroi përsëri vota nga kutitë e njësisë bashkiake katër

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdoi sot numërimin e votave të kontestuara sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor nga njësia bashkiake numër katër për zgjedhjet vendore të kryeqytetit. Vëzhgues të dy partive, nëpunës të administratës dhe komisionerë të KQZ kaluan nëpër duar kutitë e njësisë katër, herë pas here mes tensionesh që sollën edhe përjashtimin nga numërimi të një vëzhgueseje socialiste që iu tërhoq vëmendja për grindje me kolegët gjatë punës dhe për dëmtim të një kutie. Madje përjashtimi i saj nga procesi u bë me vendim të KQZ me votim 4 me 2.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste protestuan edhe sot për mospërputhje të kodeve mbyllëse nëpër kutitë e votimit, për mospërputhje të numrave nëpër procesverbale. Po ashtu ata thanë se në ndonjë rast mungojnë zarfet me fletët e pavlefshme madje edhe vetë procesverbalet nëpër kutitë e votimit. Të gjitha këto, sipas tyre, e bëjnë të paligjshëm këtë numërim. Por zyrtarë të KQZ deklaruan se nuk bëhet fjalë për ndryshim kodesh, sepse sistemi numerik i sigurisë së kutive është mjaft i sigurtë dhe se procesi i rishikimit të materialeve zgjedhore po bëhet sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që ka karakter urdhërues për komisionerët.

Parashikimet nga KQZ janë që mund të rishikohen materialet zgjedhore nga 2 njësi bashkiake në ditë, gjë që do të thotë se procesi do të vazhdojë të paktën edhe këtë javë, sepse janë 11 njësi bashkiake. Nga të dhënat e deritanishme, të dy kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë po marrin vota shtesë nga fletët e hedhura në kutinë me ngjyrën e gabuar, por kandidati Lulëzim Basha kryeson deri tani me 78 vota ndaj kandidatit Edi Rama.

Numërimi i këtyre kutive u kërkua me vendim nga Kolegji Zgjedhor për t’i trajtuar të gjitha kutitë e votimit në mënyrë të barabartë. Partia Socialiste e opozitës e kundërshtoi këtë numërim shtesë, ashtu si kundërshtoi edhe numërimet e mëparshmet, edhe pse Kolegji Zgjedhor i shpalli ligjërisht të sakta veprimet e KQZ për të vlerësuar votat e kontestuara. Zgjedhjet vendore u mbajtën në 8 maj, por edhe pse kanë kaluar një muaj e gjysëm ende nuk ka një fitues zyrtar për bashkinë e Tiranës. Partitë politike dhe KQZ po replikojnë gjatë për ligjshmërinë e procedurave të numërimit, dhe disa herë janë ankuar Kolegjin Zgjedhor.

Zgjedhjet vendore u vlerësuan nga opozita socialiste si një test i rëndësishëm politik për përkrahjen që ajo gëzon në popull. Si pozita edhe opozita i lexon ndryshe rezultatet e zgjedhjeve vendore në shkallë kombëtare; të dyja thonë se kanë fituar herë me numra e herë me territore administrative, por forumet e tyre drejtuese ende nuk e kanë thënë as ato fjalën e fundit, derisa presin mbylljen e procesit numërues për kryeqytetin.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG