Lidhje

KQZ, mbledhje të re mbi fletëvotimet në kutitë e gabuara


KQZ, mbledhje të re mbi fletëvotimet në kutitë e gabuara

KQZ, mbledhje të re mbi fletëvotimet në kutitë e gabuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mbajë sot një tjetër mbledhje ku do të diskutojë për qëndrimin ndaj fletëve të votimit që janë hedhur në kutitë e gabuara. Një natë më parë Komisioni shtyu mbledhjen sepse një grup deputetësh socialistë hynë në sallën e KQZ për të ndjekur nga afër diskutimin e kësaj çështjeje. Por kryetari i KQZ e shtyu mbledhjen duke e quajtur këtë një presion politik ndaj Komisionit. Ndërsa deputetët socialistë dolën nga salla dhe i bënë thirrje militantëve që të mblidhen sot te KQZ.

Mbledhja e KQZ është vendosur të mbahet sot në ora 10 me orën lokale. Rendi i ditës nuk ka ndryshuar dhe do të vazhdojë aty ku mbeti: projekt-vendimi se si do trajtohen votat e rregullta që janë gjetur të hedhura gabimisht në kutitë me ngjyra të tjera. Sipas socialistëve, ato janë të pavlefshme, derisa nuk përputhet ngjyra, por për demokratët ato duhen numëruar si të rregullta. Kryetari i KQZ, Arben Ristani, tha se komisionet zonale i kanë kërkuar ndihmë KQZ se si duhet të numërojnë votat e regullta të kutisë së parë që janë gjetur në kutitë e tjera. KQZ e shtyu mbledhjen sepse tha se nuk mund të punonte në kushtet e veçanta të presionit politik ne sallën e mbledhjeve. Një numër i konsiderueshëm deputetësh socialistë, pothuajse i gjithë grupi i tyre parlamentar, qëndroi për disa orë në sallën e mbledhjeve të KQZ. Përfaqësues të tyre thanë se kishin ardhur që të mos lejonin miratimin e një akti që mund të ndryshonte rezultatet e zgjedhjeve për Tiranën, ku jozyrtarisht Edi Rama është disa vota para. Deputetët e lëshuan sallën e KQZ në mbrëmje, por njëri prej tyre, Erjon Braçe, u bëri thirrje përkrahësve të PS nga i gjithë vendi që të vijnë sot para KQZ-së që të ndjekin mbledhjen derisa KQZ të njohë fitoren e Edi Ramës.

Deputetët socialistë erdhën në KQZ pikërisht në çastin kur komisioni do të niste mbledhjen për votat e hedhura gabim. Ata qëndruan aty për afro 6 orë, edhe pse KQZ e shtyu mbledhjen. Bashkë me deputetët aty qëndruan për disa orë edhe një numër policësh jashtë sallës, jo për deputetët, port ë shmangur grumbullimet e papritura në rrugën e ngushtë para KQZ. Kuptohet që policia është në gadishmëri edhe ditën e sotme. Deputetët erdhën në KQZ pakashumë në të njëjtën kohë kur tre ambsadorët perëndimorë të SHBA, BE, OSBE ishin në selinë e PS dhe po diskutonin me drejtuesit e saj për zhvillimet e fundit. Të njëjtën gjë ata bënë edhe me kryeministrin sali berisha. Ata publikuan një deklaratë ku theksohej se procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe në përputhje me ligjin. Ata u bënë thirrje të dyja palëve që të kenë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë procesin demokratik. Në mbrëmje vonë ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu dhe kandidati Lulzim Basha u takuan për kafe në një nga lagjet më të populluara të Tiranës. Ambasadori Arvizu i ndjekur nga mediat deklaroi se ishte takuar me të gjithë politikanët; Rama, Berisha dhe Basha. Ai tha se duhet durim, sepse diferenca me 10 vota është shumë e ngushtë. “Ishte një fushatë e gjatë për të dy edhe për Ramën edhe për Bashën, dhe prapa tyre kanë punuar qindra njerëz. Numërimi i tyre ishte transparent. Por gara ende nuk ka mbaruar” - tha ambasadori Arvizu.

Lulzim Basha dha një konferencë kur deputetët socialistë u futën në sallën e KQZ. Ai kërkoi numërimin e çdo vote, sepse “zëri i qytetarëve nuk është dëgjuar ende”, tha zoti Basha. Ai i kërkoi socialistëve që të pritnin me durim vendimet e KQZ, siç po bënte edhe PD. Më vonë PD nxori një deklaratë ku theksohej se “zoti Rama nuk pranon numërimin e rregullt dhe kërkon që këtë ta zëvendësojë me revolta”. PD e quajti “bllokimin e KQZ si një akt të dëshpëruar të Edi Ramës, që përpiqet të anashkalojë procesin e ligjshëm”. PD deklaroi se “qytetarët janë lodhur nga thirrjet e ramës për grumbullime, sepse ai i bën këto vetëm për të ruajtur karrigen”.

Zyra e BE shpërndau një lajm se Presidenti i Komisionit Evropian Barroso viziton Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë. Njoftimi është me rëndësi sepse ky tur u shty disa herë, dhe mediat spekulluan me lajme të pakonfirmuara. Presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso, i shoqëruar nga Komisioneri për Zgjerimin Fyle do të vizitojë Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë nga data 19-20 maj në një tur të dytë të vizitës së tij në Evropën Juglindore. Vizita e tyre në tiranë është interesante pas dy ditësh, por analistët politikë besojnë se lajmi që ata po vijnë këtu në Tiranë mund të jetë një nxitje që partitë dhe institucionet shqiptare të zgjidhin çështjet e hapura mbi zgjedhjet vendore. Zoti Barroso do të ketë takime me liderat politikë të vendeve respektive si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile për të nënvizuar mbështetjen e Komisionit Evropian për prespektivën e tyre Evropiane dhe për të nxitur më tej reformat e nevojshme, institucione demokratike të qëndrueshme dhe plotësisht fiunksionale si dhe marrëdhënie të mira fqinjësie; të gjitha këto të nevojshme për përparimin në rrugën drejt BE-së.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG