Lidhje

Çështja KQZ, Rama “S’mund të ketë kompromis”


Sipas drejtuesit socialist opozita nuk do të hyjë në diskutime për ndryshimin e përbërjes së KQZ. “Nisma e PD haptazi e paligjshme”

Në Shqipëri kryetari i partisë socialiste Edi Rama tha sot se nuk mund të ketë asnjë kompromis për zëvendësimin e një anëtari të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Sipas tij nisma e ndërmarrë nga shumica e djathtë është haptazi e paligjshme. Komentet e zotit Rama erdhën një ditë pasi përfaqësuesë të komunitetit ndërkombëtar theksuan se anëtarët e komisionit qëndror të zgjedhjeve janë apolitik dhe se vetë ai institucion është teknik. E djathta mbron idenë se në KQZ duhet ruajtur barazpeshimi politik mes anëtarëve të saj.

Shtyrja për të hënën e votimit në parlament, për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit qëndror të Zgjedhjeve të propozuar nga LSI, nuk e shoi debatin e hapur rreth ligjshmërisë së një vendimi të tillë, e duket se nuk do të jetë as edhe koha brenda së cilës të mund të ketë zgjidhje kompromisi. “Ne do ta respektojmë deri në fund dokumentin themelor të zgjedhjeve dhe prandaj edhe as do të tolerojmë shkeljen e njëanshme të Kodit për të uzurpuar politikisht KQZ-në, as do të bëhemi pjesë e kurrëfarë marrëveshjeje që anashkalon Kodin Zgjedhor medemek për të zgjidhur problemin e krijuar nga kalimi i LSI në opozitë. Sepse ky problem thjesht nuk ekziston. Në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ne nuk do të hyjmë në diskutime për ndryshimin e përbërjes së KQZ”, deklaroi sot kryetari socialist Edi Rama.


Një ditë më parë, ambasadori i Osbe-së në Tiranë, ambasada e Shteteve të Bashkuara këtu e po ashtu edhe zëdhënësi i komisionerit europian për Zgjerimin Stefan Fyle, ishin thuajse në një gjatësi vale ndërsa i mëshonin faktit se anëtarët e Komisionit qëndror të Zgjedhjeve janë betuar për profesionalizëm e përmbushje të detyrave me paanësi dhe se pavarësisht emërimit nga parlamenti ata janë apolitik.

Sipas kryetarit socialist, Edi Rama, deklaratat e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar “janë thirrje që kjo marrëzi - sic cilësoi ai vendimin e së djathtës - të mos ndodhë”. Zoti Rama tha se politika nuk mund të diktojë veprimtarinë e KQZ-së: “Nisma e zëvendësimit të një anëtari të KQZ përmes parlamentit është haptazi e paligjshme. KQZ vërtet formohet përmes një procesi ku anëtarët e vet propozohen proporcionalisht nga qeveria e opozita, por në momentin e marrjes së mandatit KQZ nuk ka më asnjë varësi nga Kuvendi i Shqipërisë e nga partitë politike. Ky vizion, i bazuar në domosdoshmërinë që anëtarët e KQZ të jenë shërbëtorë të pavarur të ligjit e të zgjedhësve jo vartës politikë të partive, ka diktuar Kodin Zgjedhor që kemi shkruar e miratuar bashkërisht me consensus”.

Për zotin Rama, nisma e demokratëve do të ishte një njollë mbi procesin zgjedhor e për pasojë edhe mbi imazhin e vetë Shqipërisë:“Kuturisja e kryeministrit për ta kthyer shumicën e tij prej kartoni në një kamikaz që të hedhë në erë KQZ-në, hedh në erë edhe njëherë të drejtën themelore e të papërmbushur në gjithë këto vite të shqiptarëve, për të ushtruar pa asnjë pengesë sovranitetin e zgjedhjes së lirë të qeverisë së tyre”.

E djathta e dy ditë më parë miratoi vetëm me votat e përfaqësuesve të saj vendimin për të zëvendësuar anëtarin e propozuar nga Lsi-ja me një tjetër të propozuar nga aleati i tyre republikan. Demokratët vlerësojnë se përmbysja e raporteve në KQZ e për pasojë edhe në të gjitha nivelet e tjera të komisioneve, kalon nën kontrollin e opozitës gjithë procesin zgjedhor “duke paralajmëruar manipulime”, sipas tyre. Të djathtët, shpjegojnë se i referohen frymës së ligjit për balancimin politik. Por anëtarët e Komisionit qëndror kanë një mandat 6 vjecar. Vetë kodi parashikon në mënyrë specifike rastet kur ndërpritet mandati, dhe në asnjë prej tyre, nuk bëhet fjalë për ndërprerje kur ndryshojnë raportet politike në parlament.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG