Lidhje

Kriza e KQZ-së rrezikon zgjedhjet

  • Armand Mero

Një anëtar i tretë i KQZ-së vendos të bojkotojë komisionin. Zyrtari i lartë i DASH, Jonathan Moore “ka argumenta ligjorë që vënë në pikëpyetje votimin e parlamentit për zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së”. Demokratët: “Rama kërkon të bllokojë zgjedhjet”

Në Shqipëri situata në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve është përkeqësuar edhe më tej. Një tjetër anëtar deklaroi sot pezullimin e aktivitetit të tij në Komision në shenjë solidariteti me dy kolegët e tij të cilët dhanë dje dorëheqjen. KQZ ka mbetur tanimë vetëm me 4 anëtarë dhe nëse do të hyhet në zgjedhje me këtë gjendje, komisioni rrezikon të ketë të pamundur marrjen e vendimeve të rëndësishme lidhur me rezultatin. Për këtë shprehu shqetësim edhe Drejtori për Europën Qëndrore dhe jugore në departamentin e Shtetit Jonathan Moore. Ndërsa tha se ka argumenta ligjorë që vënë në pikëpyetje votimin e parlamentit për zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duan të shohin KQZ-në të funksionojë. Nëse kjo nuk ndodh - shtoi ai - zgjedhjet nuk mund të mbahen në 23 qershor.



Socialistët refuzojnë të paraqesin kandidaturat e tyre për vendet e mbetura bosh në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve pas dorëheqjes së dy anëtarëve të propozuar prej tyre: “Më dërgoni mua në shkresë ku më thoni Zoti Ruci, plotësoni brenda 48 orësh vendet. Cilat vende? Të atij institucioni që e përdhosët, që e keni marrë peng? Të atij institucioni që e kemi bërë të depolitizuar, por që ju e politizuat me veorimin dhe aktin që kryet? Të atij institucioni për të cilin I thatë shqiptarëve Ju votoni se ne do numërojmë?”

Por sipas partisë demokratike dorëheqja e dy anëtarëve vërtetoi pikërisht se ata ishin militantë partiak, tha sot kryetari I grupit socialist Astrit Patozi, sipas të cilit asgjë nuk mund të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve: “Duke tentuar bllokimin e KQZ-së Edi Rama po I shmanget detyrimit të vet kushtetues. Por cilido qoftë vendimi i tij, ligjet e vendit e garantojnë vijimin e procesit dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Zgjedhjet do të mbahen dhe do të jenë të lira e të ndershme, për aq sa I takon mazhorancës, sepse ky është dhe qëllimi i saj”.

Por ndërsa zoti Patozi fliste në parlament, një tjetër anëtar i KQZ-së, Jani Jani, i propozuar nga partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, vendosi të pezullojë përfaqësimin e tij në Komision në shenjë solidariteti me dy kolegët e dorëhequr duke akuzuar shumicën e djathtë se ka cënuar haptazi pavarësinë e institucionit. Situata e krijuar vë në pikëpyetje serioze funksionimin e Komisionit i cili formalisht mund të vazhdojë aktivitetin, por vetëm me katër anëtarë e ka të pamundur të marrë vendime të rëndësishme që lidhen me rezultatin e zgjedhjeve.

Shqetësim për gjendjen e krijuar shprehu sot edhe Drejtori për Europën Qëndrore dhe jugore në departamentin e Shtetit Jonathan Moore, në përfundim të takimeve dy ditore në Tiranë.“KQZ-ja, mesa kuptoj, duhet të ketë një minimum prej pesë anëtarësh në mënyrë që të mbajë zgjedhjet. Sigurisht, ne do të donim të shihnim anëtarësinë më të plotë të mundshme të KQZ-së. Më thanë se me më pak se pesë anëtarë, nuk do të jetë e mundur të mbahen zgjedhje. Kjo është natyrisht një çështje për secilin anëtar të KQZ-së për të vendosur se si do të veprojnë. Sërish, dëgjova nga udhëheqësit e partive politike, si të qeverisë dhe të opozitës, që ata duan zgjedhjet të ndodhin në kohën e caktuar në 23 qershor dhe kjo nënkupton që pëpjekjet duhet të bëheshin për të siguruar anëtarësi të plotë të KQZ-së”.

Zyrtari i lartë amerikan tha se në disa takimet e tij dje ishin diskutuar edhe ngjarjet e së hënës në parlament ku shumica e djathtë vendosi zëvendësimn e anëtarit të KQZ të propozuar nga Lëvizja socialiste për Integrim: “Siç Ambasada jonë e ka bërë të qartë, megjithëse ne i njohim disa nga shqetësimet për ndryshimet në balanca me formatimin e koalicioneve parazgjedhore, ne besojmë se ka një argument të fortë ligjor që vë në pikëpyetje votimin e datës 15 prill në Parlament. Pavarësisht kësaj, ne duam të shohim KQZ-në të funksionojë. Nëse kjo nuk ndodh, zgjedhjet nuk mund të ndodhin në 23 qershor. Do të shohim se si procesi do të vazhdojë”.

Zoti Moore deklaroi se thirrja për të gjitha palët është që t’i përgjigjen në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi procesit dhe të ecet përpara, ndërkohë që u shpreh I shqetësuar për presionin e ushtruar ndaj deputetit socialist Kastriot Islami i cili u rreshtua me të djathtët në votimin e së hënës.

Socialistët këmbëngulin se tanimë cështja e KQZ-së nuk është cështje emri por një cështje parimi të shkelur që ka cënuar procesin zgjedhor. Dhe sipas kryetarit Edi Rama: “Ne kërkojmë që të ketë një reflektim, për këtë ne kërkojmë që të ketë një kthim në ligjshmëri të Institucionit Qendror të Zgjedhjeve. Për këtë ne kërkojmë që administrimi i zgjedhjeve të ndahet nga gjithë vala e panikut që e ka përfshirë kryeministrin, që ka përfshirë pushtetin familjar dhe partinë familjare të kryeministrit”.

Nuk është fort e qartë se si përkthehet në terma konkret kjo kërkesë e cila në thelb duket se lidhet me konsiderimin nul të vendimit të së hënës në parlament. Cilat do të ishin mekanizmat, a ka një zgji dhje dhe sa e gatshme do të ishte shumica që të bënte pas, kjo mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme. E qartë është se procesi zgjedhor ka marrë një kthesë të rrezikshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG