Lidhje

Krasniqi: Mendoj se zoti ambasador është ngutur

  • Rudina Dervishi

Krasniqi: Mendoj se zoti ambasador është ngutur

Krasniqi: Mendoj se zoti ambasador është ngutur

Duke reaguar ndaj komenteve të ambasadorit amerikan në Prishtinë Christopher Dell, kryetari i parlamentit të Kosovës tha se është duke përgatitur një përgjigje ligjore kërkesës së paraqitur nga Eulex-i që me një rezolutë të Kuvendit të kërkohet që qeveria të marr një mendim nga Gjykata Kushtetuese për nenin 75 të kushtetutës së Kosovës mbi imunitetin e deputetëve.

Mendoj se zoti ambasador është ngutur, tha zoti Krasniqi. “Unë jam sot në Bruksel për të biseduar me disa deputetë të parlamentit evropian dhe nga fundi i javës do të ketë gati një përgjigje për Eulex-in”. Zoti Krasniqi tha se në kuvend nuk ka asnjë kërkesë konkrete që kuvendi i Kosovës t’i heq imunitetin ndonjë deputeti.

Kryetari i parlamentit tha se kërkesa e Eulex-it nuk është e bazuar në ligj, nuk është e bazuar në Kushtetutë dhe nuk është e bazuar në rregulloren e punës së kuvendit. Qeveria ka të drejtë përmes Gjykatës Kushtetuese, tha zoti Krasniqi pa kërkuar mendimin e kuvendit për qartësimin e ligjit të imunitetit. Sipas zotit Krasniqi kuvendi mund të marr në shqyrtim heqjen e imunitetit të një deputeti vetëm pasi një gjë e tillë t’i jetë kërkuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës.

Pyetjes në se qëndimi i deritanishëm ka dëmtuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, zoti Krasniqi iu përgjigj duke thënë se parlamenti i Kosovës ka mësuar nga Shtetet e Bashkuara për të respektuar kushtetutën, për të respektuar ligjin. Ne nuk po bëjmë asgjë tjetër tha zoti Krasniqi veçse po respektojmë vlerat kushtetuese që askush të mos jetë mbi ligjin. Zoti Krasniqi pranoi se në partinë e tij ka mospajtime të ndryshme lidhur me çështjen duke e konsideruar këtë një vlerë të demokracisë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG