Lidhje

Moska dënon goditjet amerikane në Siri


Rusia i cilësoi sulmet amerikane kundër instalimeve të ushtrisë siriane si një akt agresioni që shkel normat ndërkombëtare. Presidenti Putin mblodhi në një takim urgjent Këshillin rus të Sigurisë për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit, ndërkohë që Moska pezulloi marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për sigurinë e fluturimeve amerikane dhe ruse mbi Siri:

Kremlini konfirmoi se kishte marrë njoftim nga Shtetet e Bashkuara rreth planeve për sulme në Siri. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se nuk kishte pasur ndonjë telefonatë për Presidentin Putin, por informacioni kishte ardhur përmes kanaleve të komunikimit.

Presidenti rus Vladimir Putin mblodhi Këshillin rus të Sigurisë për të diskutuar mbi gjendjen në Siri pas sulmeve amerikane. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha se në mbledhje u analizua realiteti i ri në Siri, pas sulmeve:

“Veprimet e Uashingtonit u cilësuan akt agresioni që bie ndesh me ligjin ndërkombëtar,” tha zoti Peskov.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se Këshilli rus i Sigurisë e konsideron aktin e djeshëm një goditje dëmtuese për marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Moskë:

“Pjesëmarrësit në takim shprehën shqetësim të thellë lidhur me pasojat e pashmangshme negative që kanë akte të tilla agresioni tek përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar terrorizmin”.

Para takimit, zëdhënësi Peskov tha se për shkak të sulmit amerikan Moska kishte pezulluar marrëveshjen me Uashingtonin për sigurinë e fluturimeve mbi Siri.

“Bërthama esenciale e këtij memorandumi me Shtetet e Bashkuara u zhvlerësua sapo filluan goditjet amerikane. Kanalet e komunikimit do të mbeten të hapura, por nuk do të ketë shkëmbim informacioni,” tha Dmitri Peskov, duke shtuar se mundësia për përplasje dhe incidente të rrezikshme mes mjeteve fluturuese ruse dhe amerikane është rritur ndjeshëm.

“Nuk e dimë çfarë synimesh donte të arrinte Uashingtoni me këto goditje, por pa diskutim që në realitet goditjet ishin në interes të Shtetit Islamik, Jabat al-Nusras dhe organizatave të tjera terroriste,” tha zëdhënësi i Kremlinit.

Ministria e Jashtme ruse akuzoi Uashingtonin se e shfrytëzoi sulmin me armë kimike në Idlib si pretekst për të goditur Sirinë, me një akt që dëmton marrëdhëniet Uashington-Moskë:

“Veprimet e Shteteve të Bashkuara dëmtojnë marrëdhëniet e mëtejshme SHBA-Rusi. Ne kemi ritheksuar vazhdimisht gatishmërinë për të bashkëpunuar mbi rezoluta lidhur me problemet më akute, ku kryeson lufta kundër terrorizmit. Ne nuk do të pranojmë kurrë akte të paligjshme kundër autoriteteve legjitime të Sirisë, të cilat prej kohësh luftojnë kundër terrorizmit ndërkombëtar,” tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Kreu i Komisionit për Çështje Ndërkombëtare në Dhomën e Ulët të Parlamentit rus, Duma, akuzoi Uashingtonin se po ndjek një axhendë gjeostrategjike për interesa të ngushta:

"Veprimet amerikane në Siri nuk arritën të krijonin një koalicion të gjerë aleatësh. Tani Rusisë do t’i duhet të luftojë e vetme forcat e terrorizmit ndërkombëtar, ndërsa Amerika ndjek ambicje madhore gjeopolitike,” tha deputeti Leonid Slutski.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson fillon javën e ardhshme vizitën e tij të parë në Moskë si shef i diplomacisë amerikane. Nuk është e qartë se si do të ndikojnë zhvillimet e fundit tek temat dhe toni i bisedimeve të tij me zyrtarët rusë. Por, Moska ka thënë se dëshiron t’i mbajë hapur linjat e komunikimit me Uashingtonin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG