Lidhje

Gjermani, dënohet 20 vjeçari nga Kosova


GERMANY TRIAL

GERMANY TRIAL

Një i ri 20 vjeçar në Gjermani u dënua sot me 3 vjet e 9 muaj burg, pasi pranoi se ishte bashkuar me grupin që e quan veten Shteti Islamik. Ky është gjyqi i parë në Gjermani ndaj një personi të lindur e të rritur brenda vendit që kthehet në xhihadist.

Gjykatësit vendosën ta trajtonin të akuzuarin si të mitur. Ai njihet me emrin Kreshnik B, i lindur në Gjermani nga prindër nga Kosova dhe vitin e kaluar ka qëndruar 6 muaj në Siri. Nuk ka prova që ai të jetë përfshirë në luftime.

Megjithëse i dënuari manifestonte qëndrimin e një islamiku radikal, gjykatësi drejtues i seancës, Thomas Sageebiel, shprehu shpresën se dënimi si i mitur, do të ishte i mjafttueshëm për të patur ndikimin e duhur edukues tek ai.

Në Gjermani të rinjtë midis moshës 18 dhe 21 vjeç, mund të trajtohen në bazë të ligjeve për të mitur, nëse mendohet se atyre u mungon ndjenja e përgjegjësisë së të rriturve.

I pandehuri pranoi se ishte bashkuar me grupin Shteti Islamik dhe ishte stërvitur për përdorimin e armëve.

Grupi Shteti Islamik ka nën kontroll territore të gjera në Siri dhe Irak, ka ekzekutuar me prerje koke shumë pengje perëndimorë, ka vrarë shumë muslimanë që nuk i përkasin sektit suni dhe ka shpallur një kalifat që drejtohet nga ligjet e sheriatit në zemër të Lindjes së Mesme.

Mijëra vullnetarë të huaj nga vendet perëndimore kanë shkuar në Siri dhe Irak për t’u bashkuar me grupin, duke ngjallur shqetësime në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara se kur të kthehen mund të kryejnë akte terroriste në vendet e tyre. Rreth 550 shtetas nga Gjermania janë bashkuar me Shtetin Islamik dhe rreth 60 prej tyre janë vrarë, disa si autorë sulmesh vetëvrasëse. Rreth 180 mendohet të jenë kthyer në Gjermani. Autoritetet po hetojnë për rreth 300 të tjerë.

Autoritetet në Francë dënuan me 7 vjet burg një radikal islamik të kthyer në Francë – gjyqi i parë i këtij lloji në Francë, ndonëse ai kishte qëndruar vetëm 10 ditë në Siri dhe nuk kishte marrë pjesë në luftime.

Disa politikanë dhe ekspertë ligjorë kanë ngritur shqetësimin se dënimet e ashpra mund të shkaktojnë pakënaqësi të mëdha dhe kanë bërë thirrje për shtimin e programeve kundër radikalizimit për të përballuar numrin e të rinjve që shkojnë për të luftuar në rajon.

XS
SM
MD
LG