Lidhje

Kreut të BBG i mohohet hyrja në Rusi


Kreu i Bordit të Transmetimeve të SHBA dhe ekzekutivi i kompanisë NBC Universal, Jeff Shell nuk u lejua të hyjë në Rusi dhe u ndalua për disa orë kur shkoi në Moskë javën e kaluar gjatë një udhëtimi për qëllime biznesi.

Shell, kreu i agjencisë që ka nën mbikqyrje Zërin e Amerikës, Radion Evropa e Lirë dhe tranmetues të tjerë qeveritarë, u nxor nga radha e njerëzve që prisnin për procedurat e imigracionit kur mbërriti në Moskë të martën. Ai u ndalua, megjithëse kishte vizë të vlefshme për të hyrë në Rusi.

Në një deklaratë të Bordit thuhet se zoti Shell u mbajt në një dhomë të mbyllur për disa orë. Ai u shoqërua më pas nga zyrtarët rusë të sigurisë për të hipur në një avion për në Amsterdam.

Sipas deklaratës, zoti Shell u tha kolegëve me të cilët po udhëtonte, se autoritetet e sigurisë së aeroportit i thanë se “i ishte mohuar përjetësisht hyrja në Rusi.”

Asnjë shpjegim nuk i është dhënë zotit Shell për ndalimin, thotë Bordi, duke shtuar se zyrtarët e agjencisë u takuan sot me ambasadorin amerikan në Moskë, për të diskutuar rreth incidentit.

Incidenti i së martës vjen në klimën e tensioneve në rritje mes Uashingtonit dhe Moskës.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi javën e kaluar se dy diplomatë rusë u dëbuan nga Shtetet e Bashkuara në qershor në përgjigje të një incidenti në fillim të muajit, kur një polic rus sulmoi një diplomat amerikan pranë ambasadës amerikane në Moskë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG