Lidhje

Kreu i ri i Bankës Botërore do të përballet me sfida të shumta

  • Xho Kapua

Presidenti Obama emëroi Presidentin e Kolegjit Dartmouth, Jim Yong Kim për postin e presidentit të ardhshëm të Bankës Botërore. Që nga viti 1944, këtë institucion e ka udhëhequr vazhdimisht një amerikan. Por me fuqizimin e vazhdueshëm të ekonomive në zhvillim, një numër më i madh vendesh duan të kenë ndikim në mënyrën se si zhvillon biznes Banka Botërore.

Dr. Kim është një nga 3 kandidatët për postin e Presidentit të Bankës Botërore. Ai është mjek me profesion dhe ka punuar më parë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kandidatët e tjerë janë Ministrja e Financave e Nigerisë, Ngozi Okonjo-Iweala dhe ish Ministri i Financave i Kolombisë, Jose Antonio Ocampo. Megjithatë, Drejtori i Qendrës Evropiane për Politika Ekonomike Ndërkombëtare, Fredrik Erixon, thotë se kandidati amerikan është ai më preferuari për postin e presidentit të Bankës.

“Mendoj se kjo çështje është pothuajse e mbyllur, sepse kandidati i emëruar nga Shtëpia e Bardhë, do ta marrë postin, thjesht ngaqë SHBA dhe Evropa mundet ta miratojnë kandidaturën e tij. Dhe kjo do të thotë se ai do të fitojë. Por unë mendoj se ai, ashtu sikurse edhe kandidatët e tjerë, duhet të pyetet që të parashtrojë planet e tij për punën e Bankës Botërore. Ata duhen pyetur në veçanti se si duan ta reformojnë Bankën Botërore, për të rigjallëruar rolin e saj në zhvillimin ekonomik".

Zoti Erixon po ashtu thotë se duke qenë se ky është një vit zgjedhjesh presidenciale në SHBA, nuk ka shumë gjasa që një person tjetër dhe jo një amerikan të bëhet president i Bankës.

“Edhe po të mos ishte vit zgjedhjesh, Shtetet e Bashkuara do të kishin dashur që Presidenti i Bankës të ishte amerikan. Por këtë vit, është akoma më e rëndësishme për ta që kandidatura amerikane të fitojë. Përndryshe, Presidenti Obama do të akuzohej nga republikanët se ka qenë i butë në politikën e jashtme dhe në mbrojtjen e interesave amerikane jashtë vendit, ose si një president që nuk merr rol drejtues në botë”.

Ai thotë se presidenti i ardhshëm i Bankës Botërore mund të përballet me më tepër presione se sa presidentët e mëparshëm të Bankës.

“Tani jemi në një kohë kur shumë vende në zhvillim e kanë vazhduar rritjen ekonomike, ndërkohë që SHBA, Evropa dhe fuqi të tjera të vjetra ekonomike kanë pësuar rënie të ekonomisë. Dhe natyrisht, që kjo situatë ka forcuar një prirje të re mes vendeve në zhvillim, duke bërë që ato të kenë më tepër ndikim në politikat ekonomike botërore”.

… Dhe shton zoti Erixon, ata duan që ky ndikim të zgjerohet edhe tek Banka Botërore.

“Po shohim që shumë vende në zhvillim kërkojnë ndryshim në procesin e zgjedhjes së drejtuesve të Bankës Botërore dhe FMN-së”.

Në fakt, kjo u pa vitin e kaluar, kur drejtuesi i FMN-së Dominique Strauss-Kahn dha dorëheqjen për shkak të një skandali seksual. Postin e tij e mori Kristine Lagarde, ish ministrja franceze e financave. Drejtori i Qendrës Evropiane për Ekonominë Politike Botërore e krahason situatën e rritjes së ndikimit të G-20 në raport me G-8.

“Vendet në zhvillim sot përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë botërore, që do të thotë se çdo herë që udhëheqësit botërore takohen për të vendosur mbi politikat e reja, në bisedime duhet të marrin pjesë edhe këto vende. Në se i hedh një vështrim, për shembull rritjes ekonomike në vitin 2012, 75 për qind e rritjes së ekonomisë botërore vjen nga vende jashtë Perëndimit të vjetër”, në se do ta quanin kështu”.

Rritje ekonomike ka patur si në vendet aziatike, edhe në ato afrikane. Zoti Erixon thotë se vendet në zhvillim ndoshta do t’i kërkojnë presidentit të ardhshëm të Bankës Botërore t’i përmirësojë procedurat për dhënien e kredive dhe të huave dhe ta bëjë Bankën më pak burokratike.

“E dyta është se duhet gjetur një ekuilibër mes vendeve me rritje ekonomike të shpejtë si ato të Azisë Lindore dhe në disa rajone të Afrikës, dhe vendeve që ende nuk kanë një rritje të madhe ekonomike. Këto lloj vendesh do të kenë nevojë për një ndihmë të ndryshme nga banka Botërore. Dhe gjetja e një ekuilibri do të jetë diçka e vështirë të arrihet, por tepër e rëndësishme”.

Presidenti i ardhshëm i Bankës Botërore, i cili do të zerë vendin presidentit aktual, Robert Zollik, pritet të shpallet para takimeve të pranverës të Bankës Botërore, që fillojnë më 20 prill.

XS
SM
MD
LG