Lidhje

Ukrainasit: Nuk do të lëshojmë asnjë pëllëmbë tjetër territori


Paralajmërime nga burime të ndryshme, përfshirë qeverinë e përkohëshme të Ukrainës, komandantin më të lartë ushtarak të NATO-s dhe kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Zbulimit, se forcat ruse kanë plane të vazhdojnë avancimin përtej Krimesë, janë pasuar nga thirrjet që Uashingtoni dhe vende të tjera perëndimore të përgatisin një përgjigje më të fortë.

Anëtarë të delegacionit dypartiak të Kongresit amerikan që vizitoi Kievin thonë se mesazhi që kishin dëgjuar nga të gjithë ukrainasit që kishin takuar ishte se nuk do t’i lëshonin Rusisë asnjë centimetër tjetër territori dhe se ishin të gatshëm të luftonin.

Dy senatorë dhe një ligjvënës thanë në komentet për shtyp se janë optimistë se sanksione të reja, më të rënda, si dhe masat ndëshkimore që po shqyrtohen në Kongresin amerikan dhe në vendet e Evropës Perëndimore, do ta ndalin Rusinë nga provokacione të tjera.

Ligjvënësi Stephen Lynch, demokrat nga Masaçusetsi, është anëtar i Nënkomisionit të Sigurisë Kombëtare:

“Për momentin Rusia e fitoi betejën për Krimenë. Ndoshta ata po përgatiten për avancim drejt Ukrainës lindore. Kjo s’do të ishte betejë e shkurtër. Jemi të bindur se miqtë tanë në NATO dhe vendet që duan demokracinë do të qëndrojnë të bashkuar”.

Të gjitha bazat e mëdha ushtarake në Krime u aneksuan javën e kaluar nga Moska dhe tani janë nën kontrollin e forcave ruse.

Trupa të tjera ruse po kryejnë manovra ushtarake pranë kufirit lindor të Ukrainës. Kryeministri i vetë-shpallur i Krimesë u ka bërë thirrje rusëve në të gjithë territorin e ish-Bashkimit Sovjetik të ngrihen kundër qeverisë së Kievit, të cilën Moska e konsideron ilegjitime.

Senatorja republikane Kelly Ayotte nga shteti Nju Hempshër, anëtare e Komisionit për Shërbimet e Armatosura tha se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e kanë bërë të qartë se përveç masave aktuale janë të gatshme të bëjnë më shumë nëse ka ndërhyrje ruse në territorin tjetër të Ukrainës.

“Aeroplan-mbajtësja USS Truxton po zhvillon manovra. Kemi dërguar avionë F-16 për manovra në rajon. Kemi kapacitetin që në bashkëpunim me forcat e NATO-s të dërgojmë një prani të konsiderueshme ushtarake. Por, pa dyshim ne nuk duam konflikt ushtarak me Rusinë”.


Zyrtarët rusë të mbrojtjes citohen nga media shtetërore të kenë thënë se Moska po respekton marrëveshjet ndërkombëtare për dislokimin e një numri të kufizuar trupash pranë kufirit me Ukrainën.

Por Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier tha pasi vizitoi Ukrainën se Rusia mund të ketë hapur “kutinë e Pandorës” me përpjekjet për të rihartuar kufijtë në Evropë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG