Lidhje

Krime, tartarët të shqetësuar për fatin e tyre


H

H

Dy vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë nga Ukraina, në rajonin e banuar nga tartarët po shtohet indinjata ndaj pushtimit. Kjo pakicë myslimane është autoktone në Krime dhe shumë banorë janë larguar, duke thënë se autoritetet ruse po i heqin ata nga puna si zyrtarë qeveritarë dhe po ja heqin rajonit autonominë, që dikur ishte nën sundimin ukrainas. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Europë Luis Ramirez ishte në atë që sot është kufiri administrativ mes Ukrainës dhe Krimesë, i kontrolluar nga Rusia dhe përgatiti kronikën në vazhdim:

Kur sheh përsëri Moskën të kontrollojë Krimenë, ku tartarët janë banorë autoktonë, Azime Umerovës dhe të shoqit i vijnë në mend kujtime të shëmtuara nga viti 1944, kur udhëheqësi sovjetik Josef Stalin i deportoi familjet e tyre dhe të mijëra tartarëve të tjerë nga gadishulli:

“Erdhën persona me armë automatike. Isha e vogël, por e mbaj mend mirë këtë. Na urdhëruan të bëheshim gati shpejt, na dhanë 15 minuta kohë për të marrë sendet më të rëndësishme. Të gjithë u mërzitën shumë dhe thërrisnin "ku dhe pse"? Askush nuk dinte gjë. Të gjithë qanin, fëmijë e të rritur, ndërsa ushtarët me automatikë na shtynin për në vagonat e kamionëv,"- kujton Azime.

Azimja është bërë e famshme në qytet për bombonet e saj.

Dy vjet pasi tartarët e humbën edhe një herë Krimenë ndaj rusëve, është e vështirë të luftosh me ndjenjën e zemërimit ndaj udhëheqësit rus Vladimir Putin.

“Po të isha zog, do të fluturoja dhe do ta shkatërroja Kremlinin deri në tullën e fundit, bashkë me atë brenda,"- thotë Azime.

Ndërsa Rustemi thotë:

“Çdo komb ka mëmëdheun e vet dhe i yni është Krimea, pra si të mos ndjehemi keq për këtë?"

Në xhaminë aty pranë, njerëzit janë të zemëruar për atë që ata e shohin si pasivitet nga udhëheqësit e Ukrainës.

“Problemi i Krimesë përmendet vetëm shkarazi. Duket sikur këtu nuk ka asnjë problem, se gjithshka shkon mirë dhe se ne jemi dorëzuar përballë kësaj situate,"- thotë imami Usein.

Forcat e armatosura të Ukrainës janë të angazhuara me luftën në lindje të vendit, kështuqë aktivistët me mbështetjen e Turqisë dhe vende të tjera me shumicë myslimane, kanë krijuar vetë një batalion të pajisur mirë me armatime. Ata janë nisur drejt pikës së parë ruse të kontrollit.

“Jemi gati për gjithshka. Ardhja këtu nuk është një propozim i thjeshtë dhe synimet tona nuk janë të thjeshta. Unë personalisht, jam gati të jap edhe jetën time", - thotë ky ushtar.

Kjo është një forcë prej 100 vulletarësh, shumica e tyre tartarë, por edhe me ukrainas, çeçenë, afganë, e të tjerë.

Trupat ruse janë vendosur vetëm dy kilometra larg Krimesë. Në këtë anë, nuk shihen trupa ukrainase, por vetëm disa roje kufitare. Aktivistët i thonë Zërit të Amerikës se në nuk luftojnë ata për Krimenë, kush tjetër do të luftojë?

XS
SM
MD
LG