Lidhje

Krishtlindja në Tiranë


Në katedralen e Shën Palit, Ipeshkvi Rrok Mirdita udhëhoqi meshën e Krishtlindjes.

Besimtarët e krishterë shqiptarë po festojnë Krishtlindjen qysh nga mesnata, një nga ngjarjet më të rëndësishme të fesë së tyre. Ata u mblodhën pranë objekteve të kultit për të ndjekur ceremonialet festive dhe për t'u lutur së bashku për lindjen e Krishtit dhe mirësinë mes njerëzve. Në katedralen e Shën Palit, Ipeshkvi Rrok Mirdita, një nga drejtuesit kryesorë të besimtarëve katolikë, udhëhoqi meshën e Krishtlindjes, dhe i ftoi të pranishmit të luten së bashku.

Imzot Rrok Mirdita kërkoi në mesazhin e tij për festën që njerëzit ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të sakrifikojnë për të ngritur një jetë në paqe dhe bashkëpunim. Ndërsa Hirësia e tij, Anastas Janullatos, drejtues i kishës ortodokse, tha në mesazhin për besimtarët ortodoksë se shoqëria ka nevojë të bëhet me humane dhe të gjithë duhet të japin ndihmesën e tyre për këtë.

Besimtarët e krishterë shkëmbejnë urime mes tyre për Krishtlindjet. Tashmë është bërë traditë që qytetet përfshihen nga atmosfera festive, edhe pse pjesa dërrmuese e popullit janë besimtarë muslimanë. Shqipëria është e njohur historikisht për tolerancën dhe harmoninë fetare midis komuniteteve të besimtarëve.

XS
SM
MD
LG