Lidhje

Besimtarët e krishterë festuan Krishtlindjen

  • Ilirian Agolli

Harmonia e bashkëjetesa mes komuniteteve fetare është një nga tiparet dalluese të shoqërisë shqiptare.

Mijëra besimtarë të krishterë shqiptarë po festojnë sot Krishtlindjen, një nga ditët më të rëndësishme të fesë së tyre. Nga mesnata dhe në orët e para të ditës, katolikë dhe ortodoksë u mblodhën në objektet e tyre të kultit, për të ndjekur ceremonialet festive dhe për të uruar njëri-tjetrin. Udhëheqësit fetarë organizuan meshat e Krishtlindjeve, duke u kërkuar besimtarëve të mbrojnë varfërit dhe të bashkëpunojnë në paqe për një jetë më të mirë.

Drejtuesi i kishës katolike për Tiranën dhe Durrësin, imzot Rrok Mirdita, tha në fjalën e tij në katedralen e Shën Palit se Krishti lindi për të ndihmuar njerëzit e thjeshtë, larg luksit të titullarëve të përkohshëm, dhe se besimtarët duhet të të ruajnë lidhjet me Krishtin në çdo kohë.

“Dinjiteti njerëzor buron nga misteri i Krishtit përpara dhe përmbi çdo të drejtë ligjore. Prandaj, kush beson në Krishtin nuk mund të nëpërkëmbë dinjitetin njerëzor. Ky dinjitet nuk është i mbështetur në një rol, as në një përkatësi sociale, as në aftësi të veçanta, por në natyrën njerëzore të krijuar nga bashkimi i Zotit me njeriun. Shpesh jemi të prirur të shohim njeriun në vogëlsinë dhe në dobësinë e vet, në pamundësinë për t’u shpëtuar, në lojën e ulët të ndjekjes së interesave personale. E shohim të sëmurur, të nëpërkëmbur, të mposhtur nga dhimbja, e shohim krenar, dhunues cinik; pra e shohim të pashpëtuar. Krishti ka ardhur në botë pikërisht për këtë njeri, për ta shpëtuar atë” - tha imzot Mirdita.

Harmonia e bashkëjetesa mes komuniteteve fetare është një nga tiparet dalluese të shoqërisë shqiptare, dhe toleranca fetare është një nga veçantitë më të spikatura të saj. Besimtarët respektojnë traditat e njëri-tjetrit ndërsa festat fetare të secilit besim përfshijnë gjithë qytetet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG