Lidhje

Krishtlindjet në Kosovë kremtohen me urime për shtimin e njohjeve

  • Leonat Shehu

Krishtlindjet në Kosovë kremtohen me urime për shtimin e njohjeve

Krishtlindjet në Kosovë kremtohen me urime për shtimin e njohjeve

Me ritin e buzmit bujar dhe mesha në të gjitha kishat dhe famullitë e vendit, në Kosovë po kremtohen krishtlindjet apo si i quajnë këtu kërshëndellat. Kremtet po përshkohen nga urimet për mbarësi, paqe e mirëkuptim ndërmjet njerëzve. Mesha kryesore është mbajtur në katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, ku morën pjesë edhe përfaqësues institucionesh vendase e ndërkombëtare. Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Dodë Gjergji tha se Kosova i dërgon botës porosi të paqes, të lirisë dhe të mirëkuptimit.

“Kjo shoqëri e shëndoshë duhet ta ketë zemrën të drejtuar nga qielli derisa ecën mbi tokë sepse vetëm kështu do të mund të rrugëtoj pa marr në thua, së bashku me të tjerët drejt gjetjes së thesarit të humbur që është bashkëjetesa në paqe dhe kujdesi për njëri tjetrin dhe dashuria me të gjithë njerëzit në këtë nën qiell, individ apo popuj që angazhohen për të gjetur të mirën e përbashkët dhe për të qenë në dialog të sinqertë me të tjerët duhen të kenë synime të qarta dhe të mos jenë në dobi ose në dëm të askujt”, tha Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji.

Udhëheqësit e vendit kanë përgëzuar besimtarët katolik, Ipeshkvin e Kosovës dhe atin e shenjtë Papa Benedikti i 16 për festën e Krishtlindjeve.

Në urimin e tij ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur dëshirat e tij për paqe, mirëkuptim e tolerancë në Kosovë, ndërsa në një urim dërguar Papa Bendiktit të 16, ai shfaq shpresën se njohja e Kosovës do të vazhdojë me ritme edhe më të larta në vitin 2011. Njohja e Republikës së Kosovës nga Vatikani pritet me padurim nga i gjithë populli i Kosovës, i cili, si gjithmonë, është shembull i rrallë i bashkëjetesës, i harmonisë dhe i tolerancës ndërmjet njerëzve të etnive dhe të besimeve të ndryshme, thekson mes tjerash në urimin e tij për Papa Benediktin XVI, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Edhe kryeministri i vendit Hashim Thaçi në urimin e tij ka thënë se kjo festë kremtohet me dinjitet dhe respekt të lartë në të gjitha familjet e besimit katolik, duke i dhënë shkëlqim dhe respekt të vazhdueshëm për njeri tjetrin.

Urime e përgëzime kanë dërguar edhe përfaqësues të institucioneve tjera, të partive politike dhe institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

XS
SM
MD
LG