Lidhje

Krishtlindjet në Tiranë


Albania Christmas

Albania Christmas

Qindra besimtarë të krishterë shqiptarë festuan sot Krishtlindjet me entuziazmin e një dite aq të rëndësishme për besimin e tyre fetar. Besimtarët katolikë i zhvilluan ceremonialet e tyre të posaçme në mesnatë, në Katedralen e Shën Palit, dhe në shumë kisha katolike të tjera të vendit. Ata u lutën për mbarësinë e familjeve të tyre, të komunitetit dhe të gjithë vendit.

Meshën e Krishtlindjeve në Katedralen e Shën Palit, të mbushur plot e përplot me besimtarë e drejtoi Ipeshkvi i Durrësit dhe Tiranës, Imzot Rrok Mirdita. Ai bëri thirrje besimtarëve të ndihmojnë të varfërit, dhe të distancohen nga e keqja. Gjithashtu ai pagëzoi edhe disa fëmijë ndërkohë që për publikun u lexuan edhe pjesë nga librat kishtarë.

Ndërsa besimtarët ortodokse i zhvilluan ceremonialet e tyre sot herët në mëngjes. Gjatë mesnatës ata u lutën dhe ndezën qirinj në Katedralen Ngjallja e Krishtit në kryeqytet, ndërsa meshën për besimtarët ortodoksë e drejtoi në mëngjes, fortlumturia e tij Imzot Anastas Janullatos, kryepeshkop i gjithë Shqipërisë. Ai u uroi gjithë besimtarëve paqe dhe begati dhe kërkoi më shumë vëmendje për njerëzit e pafuqishëm që kanë nevojë për mbështetje.

Krishtlindja është një nga datat më të rëndësishme të kalendarit të krishterë. Ashtu si dhe data të tjera të rëndësishme fetare, qytetarët uruan njëri-tjetrin pa dallim, shkëmbyen dhurata dhe vizita pranë njëri-tjetrit, ndezën qirinj dhe fishekzjarre për këtë festë.

Toleranca dhe harmonia fetare është një nga tiparet më të veçanta të kombit shqiptar. Shqipëria nuk ka shënuar asnjëherë në historinë e saj ndonjë konflikt me bazë fetare dhe besimtarët e të gjitha feve bashkëjetojnë prej shekujsh në harmoni, paqe dhe siguri. Këtë tipar të rrallë e nënvizoi sivjet Papa Francesku gjatë vizitës së tij në Tiranë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG