Lidhje

Vëzhguesit skeptikë për reformën zgjedhore


Kume: “Zgjedhjet mbetën sërish në duart e partive”

Komisioni parlamentar i reformës zgjedhore zbatoi rekomandimet e OSBE-së mbi përmirësimin e Kodit Zgjedhor, thotë zoti Kristaq Kume, drejtues i Institutit për zhvillimin e demokracisë dhe sistemeve zgjedhore, por - sipas tij, - nuk ndryshoi pika më e rëndësishme që u kërkua nga të gjithë: ulja e ndikimeve partiake mbi procesin zgjedhor.

“Edhe kësaj rradhe dy partitë kryesore, PD dhe PS, nuk arritën të kapërcejnë veten e tyre. Administrata zgjedhore dhe i gjithë procesi zgjedhor administrohet mbi bazën e parimit të përfaqësimit politik, mbi bazën e bipartizanizmit. Pra, ata janë garuesit, ata janë në të njëjtën kohë edhe administruesit e procesit zgjedhor. Ishte dashur që në këtë reformë të bëheshin hapat e para drejt administrimit profesional të procesit zgjedhor dhe jo mbi bazën e përfaqësimit politik të subjekteve” - thotë ai.

Zoti Kume thotë se përvoja ka treguar që sa më i madh të jetë përzjerja e komisionerëve partiakë në procesin zgjedhor aq më shumë ata ndikojnë në ecurinë e procesit me bllokime dhe pengesa të panumërta, që nga votimi deri tek numërimi i votave. Po në punën dhe drejtimin e KQZ-së, çfarë ndryshon me këto amendamente?



“Ndryshon vetëm mënyra e zgjedhjes së kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Tani kjo nuk mbetet vetëm e drejtë e maxhorancës dhe e opozitës në parlament. Tashmë Kodi Zgjedhor fton të gjithë shqiptarët që të jenë pjesë e këtij procesi. Çdo shqiptar që plotëson kushtet për të qenë dhe dëshiron që të arrë përsipër këtë përgjegjësi dhe këtë detyrë mund të aplikojë” - tha ai.

Zoti Kume pohon një optimizëm të matur mbi cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme. Ai thotë se gjithnjë Shqipëria ka vuajtur nga vullneti për të zbatuar ligjin saktë, sepse në letër ka patur përherë ligje të mira.

“Akoma tek ne humbësi nuk është në nivel të tillë kulturor që të pranojë humbjen si produkt i asaj çka ai ka prodhuar vetë, por gjithmonë ka kërkuar dhe këtë rradhë do të kërkojë tek të tjerët arsyet e humbjes së tij. nuk pres ndonjë ndryshim të madh të kësaj në zgjedhjet e ardhshme. Këto përmirësime që ju bënë Kodit Zgjedhor janë standarte në procesin zgjedhor për më shumë transparencë etj., por jo, nuk mjaftojnë që të kemi procese zgjedhore të pakontestuara, në veçanti nga humbësi” - tha ai.

Ndryshimet ligjore kanë shënuar disa arritje siç është transparenca më e madhe e procesit zgjedhor, hartimi dhe korigjimi i listave të zgjedhësve, si edhe ndarja apo përdorimi i fondeve publike. Por në historinë 20 vjeçare të zgjedhjeve në Shqipëri nuk ka asnjë rast kur humbësi të njohë rezulatin e zgjedhjeve, ndërsa komisionerët militantë nuk janë të prirur të zbatojnë ligjin, por më së shumti u binden urdhrave partiakë. Këto dy përvoja negative - thotë zoti Kume - duhet të marrin fund në Shqipëri.
XS
SM
MD
LG