Lidhje

Komisioni Europian kërkoi reformimin e drejtësisë shqiptare


Bashkimi Europian e nxiti edhe një herë tjetër Shqipërinë që të kryejë reforma themelore me mirëkuptimin e palëve politike, veçanërisht sa i takon sistemit të drejtësisë dhe forcimit të shtetit ligjor.

Drejtori i përgjithshëm i fqinjësisë dhe negociatave për antarësim në Komisionin Europian, Kristian Danielson, deklaroi në Tiranë pak ditë pasi u publikua raporti i progresit, se reforma më ambicioze e Shqipërisë mbetet ajo e në sistemin gjyqësor.

Ai tha se Shqipëria ka bërë përparim të qëndrueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por në rrugën e integrimit plot me sfida, përmirësimi i drejtësisë është ajo cfarë presin të gjithë.

“Shqipëria është përfshirë në një reformë thelbësore, të vështirë e të rëndësishme në sistemin gjyqësor. Bashkimi Europian është bashkëpunëtori i ngushtë në këto reforma, dhe do ta mbështesë fort Tiranën në këtë rrugë plot vështirësi të integrimit europian. Sistemi gjyqësor ka nevojë të jetë më profesional dhe i çliruar nga korrupsioni i radhëve të veta” - tha zoti Danielson.

Diplomatët e vendeve perëndimore po bëjnë kritika përherë e më të ashpra për gjendjen e rëndë të sistemit gjyqësor.

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin propozimet për ndryshimet kushtetuese, ndërsa foli me tone të forta ndaj atyre që kundërshtojnë reformën në drejtësi.

“Kush më shumë reformës në Drejtësi? Unë e di kush. Ministrat e korruptuar, deputetë kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja, kur, kurrë nuk e ndjekin penalisht dikë. Këta persona duna të vazhdojnë të mbushin xhepat me paratë e popullit shqiptar. Mendoni për ta, sa herë që këta njerëz e kritikojnë reformën në Drejtësi”, - u shpreh zoti Lu.

Ambasadori amerikan i bëri këto komente në një takim të organizuar mbi reformën në drejtësi.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në shkrimin dhe diskutimin për ndryshimet kushtetuese, sepse sipas tij, “kjo është një reformë rrënjësore që për herë të parë do të ndërmarrë hapa për të eliminuar gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe të paaftë”.

Ambasadori Lu kërkoi që “të gjitha partitë politike të Shqipërisë të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe t’u japin fund sulmeve politike”.

Ambasadori amerikan theksoi se “asnjë shqiptar i vetëm sot nuk beson se sistemi i drejtësisë është i pavarur. Jo i pavarur prej kërkesës për ryshfet, Jo i pavarur prej telefonimit të drejtësisë nga persona të fuqishëm që telefonojnë drejpërdrejt gjyqtarët me udhëzime dhe jo i pavarur prej kërcënimeve kriminale nga krimi i organizuar. Kjo reformë - saktësoi ai - do t'i japë shansin e vërtetë Shqipërisë për të bërë sistemin e drejtësisë të pavarur për herë të parë”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG