Lidhje

Kristinë Lagardë në Brazil, kërkon përkrahje për të udhëhequr FMN-në


Kristinë Lagardë në Brazil, kërkon përkrahje për të udhëhequr FMN-në
Kristinë Lagardë në Brazil, kërkon përkrahje për të udhëhequr FMN-në

Ministrja franceze e financave, Kristinë Lagardë, ndodhet në Brazil, për t’u kërkuar ekonomive me zhvillim të hovshëm që ta mbështesin kandidaturën e saj për shefe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

55-vjeçarja Lagardë ka tashmë përkrahjen e vendeve të Bashkimit Evropian. Vizita e zonjës Lagardë në Brazil është e para në kuadër të një turneu botëror, që pritet të vazhdojë me udhëtime në Indi, Kinë dhe disa vende afrikane.

Zyrtarët brazilianë nuk kanë deklaruar mbështetje për asnjë kandidat, por kanë theksuar se kreu i ardhshëm i FMN-së duhet të zgjidhet me meritë e jo në baza gjeografike. Qytetarët evropianë kanë mbajtur postin e drejtorit menaxhues të FMN-së, sipas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore, që përcakton që një amerikan të udhëheqë Bankën Botërore.

Kundërshtari i vetëm i zonjës Lagardë deri tani është guvernatori i bankës qendrore të Meksikës, Agustin Karstens, i cili shkon në Brazil të mërkurën për të fituar përkrahje për kandidaturën së tij. Sekretari amerikan i Thesarit, Timothi Gajtnër, i ka quajtur të dy, zonjës Lagardë dhe zotin Karstens, kandidatë “të besueshëm” dhe “të talentuar” për postin.

Ish-kreu i FMN-së, francezi Dominik Stros-Kan, dha dorëheqje më herët këtë muaj, pas ndalimit të tij në Nju Jork, nën akuza për sulm seksual.

FMN-ja pritet të shpallë kandidatët për postin më të lartë deri më 17 qershor dhe përzgjedhja përfundimtare do të bëhet deri më 30 qershor.

XS
SM
MD
LG