Lidhje

Kritika të ashpra për kapitenin e tragetit të fundosur


Presidentja jug-koreane Park Geun-hye ka kritikuar ashpër kapitenin dhe ekuipazhin e tragetit që u mbyt javën e kaluar me 476 vetë në bord, shumë prej tyre fëmijë.

“Sjellja e kapitenit dhe e disa anëtarëve të ekuipazhit është e pakuptueshme dhe e palogjikshme, dhe ishte si një akt vrasjeje i cili nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Menjëherë pas aksidentit, kapiteni nuk ndoqi urdhrat e evakuimit. Duke u thënë pasagjerëve të qëndronin aty ku ata ishin, kapiteni dhe disa prej anëtarëve të ekuipazhit të tij u larguan dhe shpëtuan të parët. Kjo është e paimagjinueshme nga pikëpamja ligjore dhe etike,” tha Presidentja jugkoreane.

Kapiteni dhe dy anëtarë të ekuipazhit u arrestuan të shtunën nën akuzat e braktisjes së pasagjerëve. Prokurorët thonë se trageti drejtohej nga një oficer 26 vjeçar i cili navigonte për herë të parë në atë zonë.

Katër anëtarë të tjerë të ekuipazhit janë ndaluar nën akuzat se nuk i mbrojtën udhëtarët.

Palombarët kanë nxjerrë më shumë se 60 trupa nga anija e mbytur, por më shumë se 200 persona ende nuk janë gjetur. Shumica e viktimave ishin gjimnazistë.

“Trupat e pajetë do t’u jepen familjeve, vetëm pasi të dalin rezultatet e ekzaminimit të ADN-së. Por tani e kemi thjeshtuar procesin e transferimit në mënyrë që trupat të mund të transportohen në spitale të tjera sipas dëshirës së familjeve para se të bëhen të ditura rezultatet e ADN-së,” thotë ky zyrtar i Ministrisë së Oqeaneve dhe Peshkimit.

Një shërbim përkujtimor për shumë nga viktimat është planifikuar të mërkurën në qytetin Ansan, vendin nga vinin shumë nga studentët në bord.
Dokumentet e trafikut detar, të lëshuara të dielën, tregojnë se ekuipazhi nuk ishte i sigurt nëse duhet t'i këshillonte udhëtarët të braktisnin anijen. Ekipet shpëtuan 174 njerëz ndërsa anija po fundosej.

Kapiteni, Lee Jun-seok, ka thënë se ai nuk urdhëroi evakuimin e menjëhershëm pasi shqetësohej se njerëzit mund të rrezikoheshin nga rrymat e forta dhe uji i ftohtë – rreth 10 gradë celsius. Zoti Lee ishte një nga të parët që u largua nga trageti.
Autoritetet nuk e kanë gjetur arsyen e tragjedisë, por disa të mbijetuar kanë raportuar se dëgjuan një zhurmë të fortë para se trageti të përmbysej.
Të premten, agjencia jug-koreane e lajmeve Yonhap citoi hetuesit të thoshin se kthesa e papritur e tragetit mund të ketë shkaktuar zhvendosjen e 180 automjeteve dhe rreth 1,200 ton mallra, duke bërë që anija të kthehej në një anë.

XS
SM
MD
LG