Lidhje

Kriza amerikane e borxheve dhe ngërçi politik

  • Michael Bowman

Kriza amerikane e borxheve dhe ngërçi politik

Kriza amerikane e borxheve dhe ngërçi politik

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga përballja e Shteteve të Bashkuara me atë që Presdenti Obama e quajti “fundi i botës financiare” shtegu legjislativ për menjanimin e krizës së borxheve duket më i zymtë se asnjëherë.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Harry Reid hodhi poshtë një propozim të një dite më parë nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner që do të reduktonte defiçitin federal dhe rriste tavanin e huave në dy faza.

“Është një zgjidhje afatshkurtër që republikanët e dinë se është e papërshtatshme për demokratët në Shtepinë e Bardhë dhe Kongres. Ata e dinë që plani republikan nuk do të miratohet nga Senati i Shteteve të Bashkuara.”

Pak momente më vonë, udhëheqësi republikan i pakicës në Senat, Mitch McConnell, kritikoi një plan nga senatori Reid që po ashtu do të shkurtonte shpenzimet por që do të lejonte për një rritje të vetme në shkallë të lartë të huamarrjes federale.

“Ne do të luftojmë ndaj çdo gjëje që pretendon se e zgjidhë problemin, por që nuk e bën këtë. Udhëheqësi i shumicës propozoi një plan të henën i cili nuk është asgjë më shumë se sa një përpjekje për të mashtruar popullin amerikan.”

Pavarësisht se kanë pakicën, republikanët kanë një numër të mjaftueshëm vendesh për të bllokuar votën përfundimtare ndaj planit të zotit Reid. Plani i senatorit demokrat është konsideruar i vdekur që në mbërritje në Dhomën e Përfaqësuesve, të njëjtin fat me planin e zotit Boehner në Senat.

Faktikisht, plani i zotit Boehner në Dhomën e Përfaqësuesve është larg miratimit. Demokratët e pakicës e kundërshtojnë propozimin republikan dhe disa pjestarë të lëvizjes Tea Party kanë premtuar të votojnë kundër çdo shtimi të tavanit të huamarrjes në baza ideologjike.

Të martën herët, udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve Eric Cantor njoftohet se u kërkoi pjestarëve të partisë së tij republikane që të lënë menjanë mosmarrëveshjet e brendëshme dhe të mbështesin planin e zotit Boehner.

Senatori Reid argumentoi se propozimi i tij i plotëson kërkesat kryesore republikane: ulje të konsiderueshme të shpenzimeve dhe jo rritje taksash.

“Nëse republikanët vazhdojnë të kundërshtojnë një propozim të arsyeshëm që e paraqita në Senat të henën dhe për të cilin do të votojmë në Senat së shpejti, do të jetë shumë e qartë se republikanët nuk e kanë çështje nëse falimentojmë në borxhe. Është e dhimbshur por e vërtetë.”

Ndërkohë, senatori McConnell kritikoi mënyrën e trajtimit të negociatave disa mujore nga presidenti që ende nuk kanë nxjerrë një marrëveshje.

“Presidenti mund të pohojë të jetë i shqetësuar rreth kësaj krize. Por një pyetje vazhdon të mbetet pezull nga çdo konferencë shtypi që ka mbajtur dhe çdo fjalim: ku është plani i tij për të zgjidhur krizën. Republikanët kanë propozuar disa plane.”

Presidenti Obama ka prezantuar parametrat e një marrëveshje që do të dëshironte ta shikonte, por e ka lënë për negociatat dypalëshe që të mundohen të arrijnë një marrëveshje të detajuar.

Administrata e Presidentit Obama thotë se 2 gushti është afati i fundit për rritjen e tavanit të huamarrjes. Përtej kësaj date, zyrtarët e Thesarit amerikan thonë se qeveria federale do të mbështetet vetëm në të ardhurat e taksave për të finanuar veprimtarinë e saj. Këto të ardhura nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e brendëshme dhe të jashtëme dhe për të paguar borxhet prej 14.3 trilion dollarë.

XS
SM
MD
LG