Lidhje

Sa e rëndë është kriza bërthamore në Japoni?

  • William Ide

Sa e rëndë është kriza bërthamore në Japoni?

Sa e rëndë është kriza bërthamore në Japoni?

Ndërsa kriza në kompleksin bërthamor Daiichi në Fukushima të Japonisë thellohet, shtohet edhe frika për përhapjen e rrezatimit dhe për përmasat e keqësimit të gjendjes. Ekspertët bërthamorë thonë se kriza i ka kaluar tashmë përmasat e incidentit më të rëndë bërthamor të Amerikës, por nuk është katastrofa më e rëndë bërthamore në histori.

Banorët rrinë në rradhë për t’u kontrolluar për rrezatim, në qendra të ngritura jashtë perimetrit prej rreth 30 kilometrash përreth kompleksit bërthamor të Fukushimës.

Punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë u detyruan të largoheshin përkohësisht nga kompleksi dje, kur radioaktiviteti filloi të kapte nivele të larta, duke ngadalësuar përpjekjet për të parandaluar një rrjedhje bërthamore. Qindra mijëra njerëz janë larguar nga zona. Atyre që jetojnë brenda perimetrit prej 30 kilometrash, u është thënë të mos dalin nga shtëpitë. Një numër të huajsh dhe vendasish po largohen nga Japonia.

Presidenti i Institutit amerikan për Studime Energjie dhe të Mjedisit, Arjun Makhijani thotë se kriza bërthamore e Japonisë është e veçantë.

“Po bëhemi dëshmitarë të një aksidenti krejtësisht të pashembullt bërthamor, në kuptimin që nuk ka pasur kurrë tre reaktorë në të njëjtin vend në të njëjtën kohë ku të ketë ndodhur një incident i rëndë”.

Në kompleksin e Fukushimës ka pasur shpërthime në tre nga reaktorët e tij dhe një zjarr në të katërtin.

“Do të thoja që është një incident shumë i rëndë. Nuk duket se është i nivelit të incidentit më të lartë deri tani, Çernobilit, as nuk i afrohet, sepse ai lloj rrezatimit nuk është matur”.

Kevin Kamps i shoqatës “Beyond Nuclear”, që është kundër energjisë bërthamore thotë se radioaktiviteti duket se po përhapet në masë të konsiderueshme, përfshirë izotopet radioaktive që sulmojnë me agresivitet gjendrat tiroide.

“Jodio radioaktive mund të spastrohet nga trupi nëse merren tableta në kohë. Ne e pamë me Çernobilin se çfarë mund të ndodhë nëse njerëzit janë të ekspozuar ndaj jodios radioaktive 131. Në rajonin e Çernobilit, në Ukrainë, Bjellorusi dhe Rusinë Perëndimore ka pasur një epidemi sëmundjesh të lidhura me tiroidet, kancere, patologji të tjera tek të rriturit dhe veçanërisht tek fëmijët”.

Rrjedhja radioaktive e pjesshme e një reaktori në Three Mile Island ishte aksidenti më i keq bërthamor i Shteteve të Bashkuara. Ekspertët thonë se gjendja në Japoni është bërë më e rëndë sesa ajo që ndodhi atje në vitin 1979.

Në incidentin në Three Mile Island, nuk kishte të plagosur ose të vdekur dhe një nivel shumë i ulët rrezatimi u gjet më pas në bimë dhe kafshë.

Reaktorët bërthamorë janë vendosur nën disa shtresa mbrojtëse sepse shufrat e karburantit që përdoren në reaktorë çlirojnë nivele të larta nxehtësie. Zakonisht uji ftoh shufrat, por kur ftohja nuk funksionon, temperatura mund të rritet aq shumë saqë i shkrin shufrat.

Kevin Kamps thotë se inxhinierët bërthmorë po bëjnë përpjekje të dëshpëruara për të mos lejuar që shufrat e karburantit të mbinxehen në Fukushima.

“Rrjedhja mund të kalojë përmes shtresës rrethuese të reaktorit, përmes sistemit të bllokimit, në mjedis dhe pastaj nuk mund të bësh dot asgjë nëse nuk rifillon të funksionojë ftohja”.

Sesa mund të rëndohet gjendja dhe sa afatgjata do të jenë pasojat e krizës në Fukushima dhe zonat përreth, do të varet gjerësisht tek rrjedha e ngjarjeve. Dy dekada pas Çernobilit, Kombet e Bashkuara ndërmorën një përpjekje 10 vjeçare rimëkëmbjeje që vazhdon edhe sot.

XS
SM
MD
LG