Lidhje

Kriza e borxheve në disa vende të Eurozonës ndikon në ekonomitë e vendeve të Europës Juglindore


Kriza e borxheve në disa vende të Eurozonës ndikon në ekonomitë e vendeve të Europës Juglindore
Kriza e borxheve në disa vende të Eurozonës ndikon në ekonomitë e vendeve të Europës Juglindore

Ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore ndikohen drejtpërsëdrejti nga vendet e Eurozonës në kushtet e krizës së borxheve që ka prekur disa nga këto vende. Kjo është edhe arsyeja përse rritja ekonomike e këtyre vendeve pritet të jetë më e ngadalshme se para fillimit të krizës globale. Kjo ishte tema që u diskutuan në një konferencë për shtypin që u mbajt në mjediset e Bankës Botërore në Washington.

Folësit në Konfererencë, Filip lë Hueru, Nënpresident i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore dhe kryeekonomisti i Bankës Botërore për këto rajone, Indermit Xhill, thanë se kriza ekonomike e vitit 2008 vazhdon të ndjehet në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit.

Sistemi financiar botëror po përballet me sfidën më të madhe nga kriza financiare e vitit 2008. Por ndërsa në vende me rritje të shpejtë ekonomike, si Kina, India dhe Brazili kriza nuk ka patur ndikim në rritjen e tyre ekonomike, në vendet e Evropës Perëndimore kriza është reflektuar në fusha të ndryshme, në atë financiare, të borxheve, deficiteve buxhetore, dhe tek papunësia e lartë në këto vende. Ndikimi i krizës së borxheve të disa vendeve perëndimore si Greqia, Italia, Spanja, Portugalia, është ndjerë tek vendet e Evropës Juglindore, të cilat i kanë këto vende partnerët e tyre kryesorë tregtarë. Kështu, ndërsa rritja ekonomike në këto vende ishte 4,5 për qind në vitin 2010, këtë vit ajo pritet të jetë 4,3 dhe për vitin 2012 parashikohet një rritje edhe më e vogël, prej 3,8 për qindsh.

Çfarë ndikimi do të ketë kriza e borxheve e Greqisë dhe Italisë tek ekonomia e Shqipërisë? Për këtë çështje ne biseduam pas takimit me Drejtoreshën për Shqipërsinë dhe Koordinatore për Evropën Juglindore, Jane Armitage:

Zëri i Amerikës: Gjatë krizës së 2008-ës Shqiperia ishte një nga pak vendet e Evropës ku ekonomia vazhdoi te rritet, ndonëse me ritme të ulëta. Në kushtet e rrezikut të një krize tjetër globale, a mendoni që Shqipëria do të mund ta përballojë atë si në vitin 2008 dhe çfarë ndikimi pritet të ketë kriza e Eurozonës tek Shqipëria?

Jane Armitage: Jam e sigurtë që po, do të ketë ndikim. Ajo që Shqipëria arriti të ruajë pas krizës së vitit 2008, kur trashëgoi një rritje ekonomike prej 6-7 për qind nga dekada e mëparshme, nuk mund të ndodhë më, sepse rritja e saj ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm.

Shqipëria nuk u ndikua nga kriza e vitit 2008, ashtu sikurse, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja, që patën një rritje negative. Por tani rritja ekonomike e saj është ulur nga 6-7 për qind në rreth 3 për qind. Kemi vënë re psh, që rezultatet e mëdha që u vunë re tek pakësimi i varfërisë gjatë dekadës së mëparshme, janë ngadalësuar.

Nuk dua të them se varfëria është rritur, se deri tani ne nuk kemi ende shifra të tilla, por mund të them se nuk ka patur përparim të mëtejshëm në këtë fushë dhe kur të marrim shifrat e reja, mundet që shifra e papunësisë të jetë rritur, një prirje që e shohim në vendet e Ballkanit Perëndimore. Ngadalësimi i rritjes ekonomike, shoqërohet me ngadalësim në pakësimin e varfërisë dhe rritje të papunësisë.

Zëri i Amerikës: Sipas jush çfarë ndikimi do të ketë tek ekonomia e Shqipërisë kriza e borxheve të Italisë dhe Greqisë, në kushter kur të dyja këto vende janë partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë?

Jane Armitage: Siç u tha edhe në konferencë, sa më pranë vendeve perëndimore të përfshira në krizën e borxheve të jenë vendet e Evropës Lindore, aq më tepër do të ndihet ndikimi i tyre tek rritja ekonomike e këtyre vendeve.

Pra, ajo që ne parashikojmë është se Shqipëria do të ketë rritje pozitive për vitin 2011 dhe në vitet e ardhshme, por ka mundësi që ajo të jetë më e ngadaltë, ngaqë ajo ka shumë lidhje me këto vende, si psh të ardhurat nga emigrantët.

Shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi kanë sjellë të ardhurat e tyre në Shqipëri gjatë viteve të fundit, duke ndihmuar në fushën e ndërtimit, bizneset e vogla dhe indirekt edhe në zbutjen e varfërisë. Por tani vemë re që të ardhurat nga emigrantët janë pakësuar dhe njerëzit janë duke u kthyer nga Greqia.

Gjithashtu, marrja e huave nga bankat perëndimore mund të jetë më e kushtueshme për Shqipërinë. Dua të përmend edhe elementin e tregtisë. Shqipëria e zhvillon tregtinë me vendet e Evropës Perëndimore dhe në se këto vende preken nga kriza, eksportet e tyre do të pakësohen dhe natyrisht, që kjo do të ndjehet edhe tek ekonomia shqiptare.

Zëri i Amerikës: Sipas jush cilat do të ishin disa nga masat parandaluese që duhet të marrë qeveria shqiptare sot, për të zbutur efektet negative të një krize të mundshme globale?

Jane Armitage: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Kur filloi kriza në vitin 2008, ajo nuk u ndje shumë në Shqipëri, por nga ana tjetër Shqipëria i rriti shpenzimet, si psh rriti ndjeshëm shpenzimet për sektorin publik, si për ndërtimin e rrugëve të reja, një diçka e mirë që nxit rritjen ekonomike dhe investimet nga jashtë.

Por njëkohësisht, në Shqipëri pati një rritje të ndjeshme të deficitit buxhetor publik në vitet 2008, 2009 dhe 2010, si dhe një një rritje të madhe të borxhit të brendshëm. Vendeve me ekonomitë në zhvillim si ajo e Shqipërisë ne zakonisht u themi që është mirë ta mbajnë nivelin e borxhti në 40 për qind, por në rastin e Shqipërisë, ky borxh është në nivelin 60 për qind.

Pra, këtë herë Shqipëria nuk mund ta përballojë krizën duke shpenzuar më tepër në sektorin publik. Këtë herë, meqë borxhi është i lartë, ata nuk mund t’i përdorin shpenzimet publike për të kompenzuar kërkesën e publikut dhe për papunësinë. Ne rekomandojmë që niveli i deficitit të jetë rreth 3 për qind dhe shpresojmë që vitet e ardhshem ata ta ulin nivelin e borxhit.

Shqipëria ka nevojë për një makromeaxhim më të fortë, zyrtarët duhet të jenë më konservatorë në politikat fiskale dhe të vazhdojnë me reformat për përmirësimin e klimës së investimeve, të bëjnë refoma në arsim, dhe të sigurohen që investitorët të vijnë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Kam një pyetje për Kosovë. A mendoni se Banka duhet t’i shkallëzojë më tej programet në Kosovë dhe kur mendoni se duhet të ketë strategji ndihmash për Kosovën, ashtu si edhe për vende të tjera?

Jane Armitage: Ne do të punojmë për një strategji për Kosovën, tani që ajo është bërë anëtare e Bankës, ne po e fuqizojmë zyrën tonë në Prishtinë dhe jemi angazhuar në disa fusha.

Por tani sasia e huadhënies për Kosovën nuk është dhe aq e madhe, edhe pse Kosova hyn në vendet me të ardhura të pakta dhe mesatare. Kjo për arsye se Kosova ka një histori konflikti dhe ajo është gjithashtu një anëtare e re e Bankës.

Tani Kosova po përfiton nga programi i kredive të buta që jep Banka, nga i cili Shqipëria përfitoi për shumë vite me radhë. Kreditë janë të lira, kohëzgjatja e pagesës është 40 vjet, interesi është i ulët dhe koha e shklyerjes së pagesës është e gjatë, por sasia e parave është e vogël.

Pra ne akoma nuk kemi një program huash të mëdha për Kosovën. Por po përpiqemi ta ndihmojmë atë me asistencë teknike në disa fusha. Krahas me Komisionin Evropian dhe donatorë të tjerë, Banka do ta ndihmojë edhe Kosovën të zgjidhë vështirësitë e shumta ekonomike me të cilat ndeshet.

Zyrtarët e lartë të Bankës Botërore në Konferencë u bënë thirrje qeverive të vendeve të Evropës Juglindore që të përgatiten për një krizë të mundshme të ekonomisë globale dhe t’i kushtojnë më shumë vëmendje stabilitetit të situatës fiskale, shpenzimeve buxhetore, si dhe forcimit të financave publike.

XS
SM
MD
LG