Lidhje

Kriza e borxhit evropian krijon mundësi të reja ekonomike për Kinën


China Money
China Money

Kina rikonfirmoi angazhimin e saj kundrejt monedhës Euro dhe ekonomisë evropiane, në një kohë kur shtohen shqetësimet mbi aftësinë e zyrtarëve evropianë për të dalë me shpejtësi nga kriza e borxhit. Kina ka investuar shumë në Evropë dhe disa analistë thonë se asaj nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mbështesë Euron. Por Peter Simpson i Zërit të Amerikës njofton nga Pekini se kriza po përshpejton përpjekjet e Kinës për të zgjeruar praninë e saj ekonomike brenda Evropës.

Zyrtarë kinezë kanë përsëritur disa herë këtë javë se Kina do të vazhdojë të mbështesë euron pavarësisht thellimit të krizës së borxhit në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian si Italia dhe Greqia.

"Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Hong Lei u tha gazetarëve se Pekini shpreson që Evropa të ketë aftësinë dhe urtësinë e duhur për të kapërcyer krizën e borxhit dhe për të garantuar kështu sigurinë e investimeve kineze".

Rreth 25 përqind e rezervave të mëdha valutore të Kinës, të cilat kapin vlerën e 2,8 trilionë dollarëve, janë të investuara në tregje ku mbizotëron euro-ja, duke e bërë kështu Pekinin shumë të cënueshëm nëse bie vlera e monedhës.

Ndërkohë që vendet evropiane në krizë duan të gjejnë mbështetje, disa prej tyre, që më parë e shikonin Kinën me dyshim, po kërkojnë tani ndihmën e saj.

Një raport i ri i Këshillit Evropian mbi Marrëdhëniet e Jashtme thotë se Kina po përfiton nga kriza, duke arritur marrëveshje shumë të leverdisshme dhe duke blerë borxhet shtetrore të vendeve evropiane me deficit të lartë.

Raporti i quajtur “Beteja për Evropën” thotë se Pekini është shumë i interesuar në burimet e teknologjisë së lartë të Evropës, veçanërisht në teknologjinë e gjelbër. Një nga autorët e raportit është Jonas Parello-Plesner.

“Kriza e Evropës po shndërrohet në një mundësi të mirë për Kinën. Ne ishim mësuar të shihnim mundësi ekonomike për evropianët në Kinë, për shkak të çmimit të ulët të eksporteve. Por tani kemi të bëjmë me një prani të Kinës në Evropë. Këtë prani e shohim në blerjen e bonove shtetërore evropiane, e shohim në industritë në krizë, si dhe në infrastrukturën publike, ku Kina po ndërton rrugë të reja”.

Zoti Parello-Plesner thotë se niveli i investimeve kineze po rritet me shpejtësi dhe se brenda vitit 2015 këto investime do të tejkalojnë investimet evropiane në Kinë. Kjo i shqetëson disa vende evropiane.

Ka edhe ankime se Kina nuk i lejon shoqëritë evropiane të kenë një prani të ngjashme në ekonominë kineze.

Parello-Plesner thotë se udhëheqësit evropianë duhet të paraqesin një kërkesë të përbashkët mbi mundësitë e përfshirjes së shoqërive evropiane në vendin aziatik.

Pekini po zgjeron gjithashtu ndikimin e tij politik së bashku me atë ekonomik.

Analistja për Kinën e Këshillit Evropian mbi Marrëdhëniet e Jashtme, Alice Richard, thotë se strategjia e politikës së butë në rajon po bind një pjesë të mirë të elitës politike evriopiane. Më parë, thotë ajo, diplomatët e misionit kinez pranë Bashkimit Evropian në Bruksel rrallë bashkëvepronin me kolegët e tyre evropianë duke u shprehur vetëm mbi çështjet e lidhura me interesat madhore të Kinës.

“Por në dy vitet e fundit ata kanë përdorur një taktikë më delikate. Ata janë të pranishëm në çdo takim ku diskutohet mbi politikat. Ata janë të pranishëm në të gjitha seancat e parlamentit evropian dhe bashkëveprojnë me një mentalitet krejt ndryshe. Kinezët janë shumë më të gatshëm për të diskutuar mbi probleme të ndryshme dhe ata vijnë më të përgatitur. Ata dinë çdo gjë mbi Evropën.”

Megjithjë pranimin nga disa vende evropiane, zonja Richard thotë se opinioni publik evropian vazhdon ta shikojë me dyshim Pekinin, edhe pse ata kanë shpenzuar miliona dollarë për zgjerimin e mediave shtetërore dhe të instituteve të kulturës në Evropë.

Megjithatë Kina ende arrin të gjejë vende që kërkojnë ndihmë prej saj.

Këtë javë Pekini njoftoi se është duke i dhënë Bjellorusisë, një vend jo anëtar i Bashkimit Evropian që ndodhet në krizë të rëndë, një miliardë dollarë dhe se do të marrë pjesë në projekte të përbashkëta në këtë vend.

"Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Hong Lei tha se dy vendet janë duke bashkëpunuar gjerësisht mbi bazat e përfitimit të ndërsjelltë dhe të të drejtave të barabarta".

Ajo që ai nuk përmendi është se Bjellorusia mbështet politikat e Pekinin kundrejt Taivanit, Tibetit dhe Ksinjangut si dhe politikën kineze mbi të drejtat e njeriut. Një mbështetje e tillë është më pak e mundur nga vende anëtare të Bashkimit Evropian si Greqia dhe Italia, megjithë problemet e tyre ekonomike.

XS
SM
MD
LG