Lidhje

Kriza ekonomike botërore do të ndikojë në ritmet e rritjes në Shqipëri

  • Zëri Amerikës

Në Shqipëri ndikimet e krizës ekonomike botërore dhe veçanërisht asaj europiane pritet të kushtëzojnë ekonominë vendase e cila siç deklaroi sot guvernatori i Bankës Qëndrore Ardian Fullani, do të rritet me ritme të ulëta gjatë këtij viti

"Viti 2012 pritet të jetë nën ndikimin e zhvillimeve të pafavorshme të ekonomisë botërore, të cilat do të kushtëzojnë edhe ekonominë vendase. Kërkesa e huaj pritet të japë një kontribut më të ulët. Ndërkohë, orientimi i politikës fiskale drejt konsolidimit të mëtejshëm të parametrave fiskalë, kufizon hapësirat për një stimul të qëndrueshëm fiskal, në mbështetje të rritjes së aktivitetit ekonomik në vend", tha zoti Fullani.

Sipas guvernatorit, në kushtet e krijuara ecuria e kërkesës së brendshme do të jetë përcaktuese, por të dhënat e deritanishme flasin për një nivel të ulët të konsumit si dhe të investimeve private. Po ashtu edhe treguesit e shkëmbimeve tregtare flasin për një tkurrje në dy muajt e parë të këtij viti. Eksportet kanë rënë me 20 përqind, ndërsa importet janë rritur vetëm me 1.2 përqind, dhe kjo dedikuar në një masë të madhe nga blerjet e energjisë. Edhe organizmat ndërkombëtar financiar parashikojnë një rritje të ulët mes 0.5 deri në 1 përqind për vitin 2012, ndërsa qeveria ende i mbetet zyrtarisht një prithsmërie optimiste për një rritje ne 4.3 përqind.

XS
SM
MD
LG