Lidhje

Kriza ekonomike evropiane dhe ndikimi tek Lindja e Mesme


Kriza ekonomike evropiane dhe ndikimi tek Lindja e Mesme
Kriza ekonomike evropiane dhe ndikimi tek Lindja e Mesme

Ndërsa qeveritë e reja që kanë ardhur në pushtet pas protestave në vendet arabe përpiqen për mirëqenien ekonomike të popujve të tyre, ata e shohin Evropën si treg të mundshëm dhe njëkohësisht si donatore. Në revolucionet popullore në Egjipt dhe më pas në Tunizi e Libi u premtua vendosja e demokracisë dhe lirisë pas regjimeve shtypëse... Në këto kryengritje protestuesit po ashtu kërkuan përmirësimin e gjendjes ekonomike në vendet e tyre, një synim që varet së tepërmi nga tregjet dhe investitorët ndërkombëtarë. Ja si shprehet analisti për ekonominë Anthony Skinner:

“Kjo do të varet shumë nga huatë dhe investimet e donatorëve të huaj për këto vende që kanë vuajtur për një kohë të gjatë nga trazirat, si Libia, Tunizia dhe Egjipti. Pra, natyrisht, që do të varet nga aftësia e përgjithshme e tregjeve të tyre për t’u rimëkëmbur.”
Ndërsa profesori i Universitetit Ekonomik të Londrës, Iain Begg, thotë se problemet ekonomike të Evropës do të ndjehen në mënyra të ndryshme në vendet arabe, ku ka patur revolucione.

“Mendoj se vendet arabe duhen parë secili në mënyrë individuale, sepse ato janë shumë të ndryshme nga njëra tjetra. Libia është një vend i pasur me naftë dhe edhe pse do të nevojitet kohë të fillojnë përsëri të merren të ardhurat nga nafta, vendi do të përfitojë pas daljes nga izolimi. Por në Egjipt situata është e ndryshme, ai vend ka një popullsi të madhe dhe më pak mundësira të menjëhershme eksporti.”

Biznesmeni libian Salem al-Maiar thotë se kërkesa për naftë do të jetë e rëndësishme për Libinë, sidomos ndërsa vendi përpiqet ta diversifikojë ekonominë e vet që deri tani është bazuar kryesisht tek nafta.

“Gjatë 40 vjetëve të fundit nafta ishte shtylla e ekonomisë libiane dhe tani ka ardhur momenti kur duhet menduar seriozisht për diversifikimin dhe liberalizimin e ekonomisë. Psh. Turizmi: në vendin tonë ka 5 qendra të trashëgimisë së UNESCO-s. Libia është një vend shumë i bukur, ne kemi detin, qendrat arkeologjike dhe Saharën të gjitha në një distancë prej vetëm 20-25 kilometrash nga njëra-tjetra.”

Tunizia ka vite që përfiton nga pozita gjeografike, duke nxjerrë fitime nga turizmi, sidomos nga vendet evropiane. Por turizmi ra ndjeshëm këtë vit pas revoltave të Pranverës Arabe në muajt dhjetor dhe janar dhe është duke rifilluar vetëm tani.

Problemet ekonomike vazhdojnë. Ekonomisti Iain Beg thotë se 2011 mund të ketë shënuar fazën më të rëndë të krizës ekonomike evropiane.

“Me shumë pak përjashtime, vendet evropiane pritet të shënojnë rritje ekonomike pjesën tjetër të vitit dhe sigurisht, edhe gjatë vitit 2012. Pra, këto vende do të vazhdojnë të mbeten tregje për vendet arabe. Nëse do të ndodhte një recesion serioz, atëhere ka vend për shqetësim. Por mendoj se kjo nuk do të ndodhë.”

Analisti i ekonomisë Antoni Skinner thotë se investitorët evropianë së shpejti mund t’i gjejnë tepër tërheqëse vendet e Lindjes së Mesme.

“Natyrisht, nëse këto vende do t’i demokratizojnë sistemet e tyre dhe do të jenë më transparente, ato do të tërheqin më tepër investitorë.”

Gëzimi dhe optimizmi që karakterizouan revolucionet në vendet arabe do të pasoheshin nga një realitet i zymtë në vendet në zhvillim, në kushtet e rënies globale ekonomike. Tani ekspertët thonë se qeveritë e vendeve arabe duhet t’i përmbushin premtimet e tyre politike dhe të gjejnë forma krijuese për rimëkëmbjen ekonomike, me shpresën që tregjet e tyre kryesore dhe donatorët të mos falimentojnë në rastin e një krize të mundshme.

XS
SM
MD
LG