Lidhje

Kriza ekonomike evropiane vazhdon, gjendja në Greqi ende e paqartë

  • Zëri Amerikës

Kriza ekonomike evropiane vazhdon, gjendja në Greqi ende e paqartë

Kriza ekonomike evropiane vazhdon, gjendja në Greqi ende e paqartë

Kriza ekonomike evropiane nuk po jep shenja zbutjeje. Një numër vendesh ende përballen me rrezikun e uljes së vlerësimit të tregut financiar. Ndërkaq, udhëheqësit evropianë vazhdojnë të këmbëngulin se shkurtimet boxhetore që ka miratuar deri tani Greqia janë të pamjaftueshme për të kapërcyer situatën në vend:

Mijëra grekë, shumë prej të cilëve deri vonë i përkisnin klasës së mesme, tashmë mbushin rrugët dhe sheshet në protesta anti-qeveritare.

Dje protestat ishin përqendruar para parlamentit, ku ligjvënësit miratuan një plan për shkurtime të reja buxhetore.

Greqia ka hyrë në vitin e pestë të recesionit, por ende nuk ka shenja lehtësimi në horizont. Partnerët evropianë kërkojnë hollësi të tjera mbi planin e shkurtimeve dhe garanci se plani do të vihet në zbatim, para se të miratojnë një këst të ri krediti. Por pa marrë këto fonde, Greqia mund të mos arrijë të paguajë detyrimin për borxhin në mars.

Në prill mbahen zgjedhjet parlamentare dhe disa politikanë grekë thonë se janë ngopur nga situata:

“Pas kësaj vote të vështirë do të dëshironim që aleatët tanë evropianë t’i tregojnë Greqisë respektin e nevojshëm, të tregojnë se Evropa vërtetë synon të ndihmojë për të lehtësuar dhimbjet tona”.

Nga ana tjetër, vetë Evropa duket se e ka humbur durimin me Greqinë. Analisti financiar Vangelis Agapitos thotë se Greqia nuk ka përmbushur në kohë asnjë nga premtimet e saj dhe ky fakt është bërë burim irritimi për evropianët:

“Evropa është lodhur nga kjo lojë politike greke, e cila bazohet në krijimin e përshtypjeve dhe në makinacione në negociime. Evropa nuk po e kupton dot se si shteti dhe qeveria greke apo partitë politike greke vazhdojnë ta luajnë këtë lojë, megjithëse situata vazhdon të keqësohet me kalimin e kohës. BE-ja nuk e kupton përse Greqia është prapa me përmbushjen e të gjitha premtimeve”.

Në Qendrën për Analiza Ekonomike në Londër, analisti Martin Koehring thotë se shkurtimet janë të domosdoshme në Greqi, por pohon se ato kanë një ndikim shumë të rëndë:

“Ritmet e këtyre masave kanë qenë shumë të shpejta, megjithëse udhëheqësit evropianë thonë se nuk janë aq të shpejta sa duhet. Mesazhi është se Greqia do të ketë nevojë për ndihma jetike për disa vjet me radhë”.

Zoti Koehring dhe analistë të tjerë thonë se vendet më të pasura të Evropës nuk po e përfillin nevojën për rritje ekonomike në Greqi dhe në vende të tjera në vështirësi. Ata thonë se pa rritje ekonomike, vendet nuk do të jenë në gjendje të rimëkëmben në periudhën afat-gjatë dhe se popullata mund të mos i përqafojë planet që parashikojnë vite, apo dekada vuajtjesh.

Eksperti i BE Thomas Fischer i Fondacionit Bertelsmann i bëri jehonë këtij mendimi në një konferencë në Bruksel:

“Vëmendja është përqendruar në plane për shkurtime buxhetore, por nuk i është kushtuar shumë vëmendje planeve për rritje apo shtim të vendeve të punës. Ky është problemi bazë”.

Tronditja nga kriza evropiane e borxheve është ndjerë edhe në ekonomi relativisht të shëndosha, si Britania. Të hënën, agjencia e vlerësimit të tregut financiar Moody’s paralajmëroi se po e ndjek me shqetësim gjendjen në Britani. Kjo agjenci ka ulur vlerësimin për mbarëvajtjen e një numër tregjesh evropiane.

“Ndoshta agjencia Moody’s vepron drejt kur sinjalizon problem në Britani. Parashikimet e përgjithshme ekonomike janë të dobëta, pasi Britania është e ekspozuar ndaj problemeve të Eurozonës”.

Ndërsa revoltimi dëgjohet qartë në rrugët e Athinës, udhëheqësit evropianë janë para një dileme – ata duhet të punojnë paralelisht si për ulje të borxheve ashtu edhe për rritje ekonomike dhe ekspertët paralajmërojnë se ky është një kombinim i vështirë për t’u realizuar.

XS
SM
MD
LG