Lidhje

Shqipëri: Kriza energjitike rrit çmimet dhe investimet


Shqipëria po përgatitet për një periudhë të vështirë në sektorin energjitik, ku krahas difekteve dhe vjedhjeve të shumta, pritet së shpejti të rëndojë edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike bëri të ditur se ka ndërprerë energjinë elektrike deri tani në 484 mijë lidhje tё paligjshme dhe debitore në banesa dhe biznese. Rreth 155 mjë nga këto prerje janë bërë në Tiranë, rreth 80 mijë në Elbasan, rreth 50 mijë në Durrës, rreth 40 mijë në Shkodër, rreth 30 mijë në Fier, po aq në Vlorë, rreth 20 mijë përkatësisht në Dibër, Lezhë, Korçё, Berat, më pak në Kukës dhe në Gjirokastër.

Shifrat tregojnë, sipas ekspertëve, vjedhjen masive të energjisë elektrike dhe vendosmërinë e qeverisë për të ndryshuar gjendjen, e cila u vlerësua si kritike nga FMN dhe Banka Botërore. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka denoncuar në prokurori 950 abuzues në të jithë vendin, shumica në Shkodёr, Fier dhe pjesa tjetër në Vlorë, Kukës, Elbasan, Korçё dhe Tiranë. Mbledhja e të ardhurave nga faturat e papaguara është 45 milion dollarë mё shumё se një vit më parë ndërsa humbjet nё rrjet janё ulur me 7.3%.

Ministri i energjisë, Damian Gjiknuri tha se krahas prerjes së vjedhjeve dhe arkëtimeve, situatën po e përmirësojnë edhe investimet në rrjetin e dëmtuar energjitik. Qeveria po ndjek një program investimesh, si nënstacioni i Zëmblakut dhe linja Ersekë - Përmet, që do sjellin qëndrueshmëri në furnizim. Ministri Gjiknuri thotë se investimet po e ndryshojnë sektorin energjitik nga një faktor rëndues në buxhetin e shtetit në një faktor fitimprurës, por nga ana tjetër rritja e çmimit të energjisë është mëse e nevojshme, sepse sektori i shpërndarjes së energjisë është zhytur në një krizë të thellë financiare afro 1 miliardë dollarë.


Nga ana tjetër Partia demokratike e opozitës fajësoi qeverinë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe keqmenaxhim të situatës që sa vjen dhe rëndohet. PD akuzoi qeverinë se faturat po fryhen artificialisht, dhe se rritje çmimi nuk do të kishte nëse qeveria nuk do t'i falte CEZ-it 500 milionë euro dhe nëse nuk do të tërhiqej dëmshpërblimi prej 3 miliardë dollarëve për dëmet e shkaktuara nga CEZ-i shtetit shqiptar. Banka Botërore miratoi për Shqipërinë një fond 150 milionë dollarë për investime në shpërndarjen, në përmirësimin e sistemit të matjes së energjisë, që të përmirësohet furnizimi me energji elektrike dhe të ulen humbjet e konsiderueshme.

XS
SM
MD
LG