Lidhje

Kriza evropiane dhe Kosova

  • Leonat Shehu

Papunësia vazhdon të jetë problemi më madhor me të cilin përballet Kosova

Banka Botërore parashikon një ulje të konsiderueshme të ekonomive të vendeve të Evropës Juglindore gjatë këtij viti. Ky konstatim është pjesë e përfundimeve të një raporti Ekonomik mbi Evropën Juglindore, ku thuhet se parashikimet për rritjen ekonomike në këtë rajon janë prej 1.1 për qind në vitin 2012. Por, kjo do varet shumë nga rrjedha e krizës në zonën euro.

Deri tash është thënë se Kosova nuk është ndikuar shumë nga kriza ndonëse monedhë zyrtare e ka euron. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankës Botërore ajo është mbrojtur nga fakti se ka qasje të kufizuar në tregjet ndërkombëtare.

Por, sipas Borko Handjiski ekonomist i Bankës Botërore, kjo situatë duhet të ndryshojë.

“Pra qasja në eurozonë tani është një mangësi për vendet e rajonit, ndërsa për Kosovën është përparësi. Mirëpo, kjo përparësi është sot në këtë mjedis por, pas një periudhe kur nuk do të ketë krizë, për Kosovën kjo do të jetë një mangësi sepse ardhmëria evropiane është rrugëdalja nga gjendja aktuale, me gjithë problemet ekonomike në zonën euro, meqë ajo paraqet një burim të rëndësishëm të të ardhurave për të gjitha vendet e Evropës Juglindore”, tha zoti Handjiski.

Por, eksperti i çështjeve ekonomike Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës se kriza mund të pasqyrohet edhe nëpërmjet dërgesave të emigrantëve dhe në ato të investimeve të huaja.

“Pasojat tjera të krizës së eurozonës ndoshta mund të shprehen edhe në mungesën e investimeve në përgjithësi për shkak të një skepticizmi në rritje të kompanive evropiane dhe kompanive tjera ndërkombëtare për të zgjeruar operacionet e tyre, jo vetëm në Kosovë apo vendet e Evropës Juglindore, por ndoshta në përgjithësi në botë për shkak të panjohurave të mundshme që mund të vijnë. Sidomos mungesa e investimeve edhe njëherë nga ato vende që janë prekur direkt nga kriza brenda eurozonës”, tha zoti Zeka.

Ndërkaq Agim Demukaj, ekonomist në Bankën Botërore, thotë se parashikimet për rritjen ekonomike të Kosovës, vazhdojnë të jenë të qëndrueshme.

“Trendi është më i vogël, do të thotë nuk do të kemi rritje prej pesë për qind që e kemi pasur vitin e kaluar, por prapë nuk jemi ka flasim për një rritje negative që do ta keqësonte situatën . Jemi duke folur për një rritje ekonomike prej 3.8 deri 4 për qind që nuk është e vogël në situatën aktual në botë”, tha zoti Demukaj.

“Kjo rritje aktuale që është përjetuar në dy tre vitet e fundit natyrisht se është pozitive sidomos duke pasur parasysh që vendet e tjera të rajonit po përballen ose me një ngecje të rritjes ekonomike ose me rënie ekonomike. Por prapë duhet të kemi parasysh që është diçka që gjenerohet jo nga sektori privat i cili është dashur të jetë shtyllë e zhvillimit ekonomik të këtij vendi, por vjen nga investimet qeveritare në infrastrukturën rrugore e çfarëdo infrastrukture tjetër publike”, tha Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane.

Për zotin Zeka, Kosovës i duhet një rritje dy shifrore për të zvogëluar shkallën e lartë të papunësisë në vend, që sipas raportit të Bankës Botërore është një veçori dalluese e tregut të punës në vendet e Evropës Juglindore. Sipas një studimi të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, papunësia vazhdon të jetë problemi më madhor me të cilin përballet Kosova.
XS
SM
MD
LG