Lidhje

Kriza evropiane shtyn një fshat italian të kërkojë pavarësinë

  • Henry Ridgwell

Kriza evropiane shtyn një fshat italian të kërkojë pavarësinë

Kriza evropiane shtyn një fshat italian të kërkojë pavarësinë

Masat ekonomike shtrënguese të Italisë përfshijnë edhe plane për të bashkuar autoritete lokale, në përpjekje për të frenuar shpenzimet publike. Fshati i vogël i Filetinos përballet me një mundësi të tillë, por kryetari i komunës së tij po kundërsulmon. Qyteza kërkon të bëhet një principatë më vete me një monedhë të sajën dhe kjo mund të mos jetë diçka e pamundur për këtë vend të vogël kodrinor.

Thellë në malet e thepisura në lindje të Romës, gjendet fshati i qetë i Filetinos. Në shekuj me radhë, këtu kanë ndryshuar shumë pak gjëra. Por 554 banorët e Filetinos janë tani pjesë e një revolucioni në zhvillim e sipër. Filetino po kërkon të ndahet prej Italisë.
Sipas planeve të paketës së masave ekonomike shtrënguese prej 50 miliardë eurosh, të gjitha qytezat me më pak se 1 mijë banorë do të shkrihen, duke iu bashkuar komuniteteve fqinje.

Kjo do të linte kryetarin e komunës së Filetinos, Luka Selari, pa punë. Kështu që ai po kundërsulmon.

“Ne duam të administrojmë rezervat tona në mënyrë të pavarur. Ky qytet i vogël është i pasur me rezerva natyrore dhe kjo mund të sillte mundësi të mëdha ekonomike. Ne kemi rreth 8 mijë hektarë tokë dhe pyje, pemët e të cilave ne mund të presim por shteti nuk na lejon. Ne kemi rezerva ujore por ato janë të administruara nga një kompani në Romë dhe ne nuk marrim asnjë fitim.”

Filetino ka filluar edhe të emetojë monedhën e saj, Fioriton, e cila përmban fotografinë e kryetarit Selari. Dyqanet e pakta të qytezës shesin bluza me stemën e re të Filetinos.

Për momentin ato janë thjesht suvenirë por zoti Selari thotë se ekzistojnë precedentë ligjorë të këtij lloji. Përpara bashkimit, në shekullin e 19, Italia përbëhej nga shumë principata dhe mbretëri. Disa prej tyre, si San Marino, ekzistojnë ende.

“Ne ishim të parët që protestuam, ndoshta ata që protestuam me zë më të lartë, dhe qeveria u tërhoq. Për momentin nuk jemi ende të shkrirë me fshatin fqinjë, por megjithatë qeveria po na detyron të bashkojmë shërbimet. Kjo mund të rrisë kostot për ne, prandaj shpresoj që qeveria e re e Kryeministrit Monti të propozojë një zgjidhje të arsyeshme për këtë problem.”

Roza Maria Xhuliti ndihmon në administrimin e restorantit kryesor të Filetos, La Galleria. Ajo është skeptike mbi planet e kryetarit të komunës.

“Ne nuk duam pavarësinë nga Italia, ne nuk duam të jemi jashtë sistemit, ne thjesht duam të administrojmë rezervat tona, të cilat nuk duam t’ia dorëzojmë askujt.”

Nëna e Roza Maria Xhulitit merret me gatimin dhe ajo thotë se prej kafshëve të fshatit të tyre prodhohet bifteku më i shijshëm në botë. Ajo deklaron se ky është gjaku vendas i principatës.

Duket qartë që banorët e Filetinos janë krenarë për kulturën dhe fshatin e tyre. Përgjatë Italisë rreth 2 mijë fshatra mund të mos drejtohen më nga kryetarët e tyre të komunave. Shumë prej tyre do të shohin me kujdes nëse kryetari Selari do të arrijë t’a quajë veten një ditë Princ i Filetinos.

XS
SM
MD
LG