Lidhje

Greqi: reagimi i banorëve


Pensioners wait outside a national bank branch to withdraw a maximum of 120 euros for the week in central Athens, Monday, July 13
Pensioners wait outside a national bank branch to withdraw a maximum of 120 euros for the week in central Athens, Monday, July 13

Prej pesë vjetësh grekët jetojnë me pasojat e masave shtrënguese. Marrëveshja e fundit imponon mbi Greqinë kushte të rënda për shmangien e falimentimit.

Rradhët e gjata në bankomatet e Athinës mbeten një pamje e zakontë. Edhe pas arritjes së marrëveshjes, kufizimet për tërheqje keshi deri në 60 dollarë në ditë mbeten në zbatim.

63-vjeçari George Doganis thotë se kryemistri Alexis Tsipras nuk kishte rrugëdalje tjetër, veçse ta nënshkruante marrëveshjen.

“Tsipras e vunë me shpatulla pas muri dhe u detyrua ta pranonte marrëveshjen. Duke pasur parasysh se alternativa tjetër ishte shantazhi për falimentim dhe dalje nga Eurozona, kjo marrëveshje përbën kompromis. Do ta pranojmë, të shohim si do të shkojë”.

Pensionistja Katerina Maneti shpreh revoltim ndaj kryeministrit, duke thënë se qeveria e tij ka bërë plot gabime. Ajo përmend vendimin për ta bërë transportin publik falas në Athinë në kohën kur u vendos kontrolli mbi kapitalin:

“Ai i vështirësoi gjërat. Mund të kishim ndjekur një rrugë tjetër. Për shembull kohët e fundit, transporti publik u bë falas. Përse u mor ky vendim në mes të kësaj situate? Po veprojnë pa mend. Politikanët po bëjnë eksperimente me ne”.

Për pensionisten Eleftheria Kyriazi marrëveshja nuk do të sjellë normalizim, për sa kohë që njerëzit nuk janë të lirë të tërheqin paratë e tyre:

“Si do të jetojmë kur nuk nxjerrim dot para nga banka? Është problem kur nuk nxjerr apo nuk depoziton lirisht paratë e tua. E kuptoj që është arritur marrëveshja, por me çfarë termash? Të huajt do të na rrjepin të gjallë”.

Ky skepticizëm ndaj institucioneve perëndimore shpesh shprehet si mëri e hapur ndaj kombeve të tjera evropiane.

“Sjellja e tyre, tendencat e tyre imperialiste po na ofendojnë, na zvetnojnë, e gjithë kjo është dëshmi e urrejtjes që ata kanë ndaj nesh. Gjermania po tregohet shumë keqdashëse”.

Për mësuesin e historisë Dionyssis Drebelas, Gjermania po ndjek një politikë të vjetër:

“Qëndrimi i Gjermanisë pritej. Që nga koha e Bismarkut Gjermania ka pasur një qëllim, si të sundojë Evropën me një mënyrë a një tjetër. Luftrat botërore e dëshmuan këtë tendencë. Edhe beteja financiare me pjesën tjetër të Evropës dëshmon të njëjtën gjë”.

Por për qytetarët evropianë jashtë realitetit grek, marrëveshja ishte një arritje për t’u shënuar. Në rrugët e Athinës, turistët e huaj e mirëpritën njoftimin. Sarah Butler është turiste britanike:

“Mendoj se është një fakt shumë pozitiv arritja e marrëveshjes. Pa këtë marrëveshje Greqia do të kishte vuajtur. Pritej deri diku që Gjermania të arrinte ato që donte në hartimin e dokumentit, pasi dalja e Athinës nga Eurozona do të kishte pasur rezultate shumë të rënda për grekët, mendoj unë”.

Marrëveshja e re shmang rrezikun e daljes së Greqisë nga Eurozona, por dalja nga kriza vazhdon të jetë një betejë e gjatë dhe e vështirë.

XS
SM
MD
LG